Lajme

Kush ishin dy shqiptarët e tragjedisë italiane?

Në tragjedinë e Xhenovës në Itali humbën jetën edhe dy shqiptarë.

Mes  37 viktimave janë edhe Marjus Djerri 22 vjeç nga Shijaku dhe Admir Bokrina 31 vjeç nga Shkodra.

Të dy të rinjtë po udhëtonin së bashku me makinë për të shkuar në qytetin Rapallo, ku punonin në një kompani pastrimi. Por, shembja e urës u preu atyre udhëtimin.

Dy familjet e tyre në Shkodër dhe Shijak kanë hapur dyert e mortit.

Për këtë dhimbje të madhe, miq e të afërm kanë shprehur ngushëllimet në rrjetet sociale. Ajo që binte më shumë në sy ishte dedikimi prekës i motres së Marjusit, e cila publikoi një foto, duke puthur të vellain.

Kurse xhaxhai i 22-vjeçarit Marjus Djerri është shprehur i revoltuar me autoritetet italiane për tragjedinë. Edmond Tabaku 50 vjeç ka thënë se nipi i tij po shkonte në punë me makinë kur u shemb ura. “Ishte 22 vjeç. Ai lindi në Itali, ishte kopshtar dhe tifoz i Milanit”, ka thënë Edmond Tabaku për “Fanpage.it”.

Marjus Djerri ishte një i ri plot ëndrra.  Ai kishte pasion futbollin dhe krahas punës aktivizohej edhe me skuadrën e Cornigliano Galaticos, në rolin e sulmuesit.

Gjatë tre viteve që aktivizohej me ekipin kishte shënuar 80 gola duke marrë vetëm tre kartonë të verdhë dhe asnjë të kuq.

Presidenti i ekipit është i shokuar nga vdekja e Marjusit, një prej lojtarëve më të mirë. “Dje për fat të keq në rënien e urës Morandi një nga lojtarët tanë e gjeti veten të përfshirë në tragjedi. Më i riu i ekipit, më i ëmbli, më i dashuri, më i miri”, - e kujton Marjusin presidenti i ekipit.  “Për ne të gjithë, menaxherët dhe lojtarët do të jenë gjithmonë në zemrat tona.  Në çdo lojë që luajmë në çdo fushë futbolli, ai me siguri do të luajë nga qielli së bashku me engjëjt e vegjël”, shton ai.

Ndërsa viktima tjetër, Edi Bokrina që në Shqipëri njihet me emrin Admir Bokrina, jetonte prej shumë vitesh në Itali.

Të afërm të tij tregojnë që 31-vjeçari jetonte në Itali që prej vitit 2000 bashkë me familjen dhe një ditë para vdekjes ai kishte festuar edhe 3 vjetorin e martesës.

Në momentin e lajmit të vdekjes së tij, në Itali ka qenë vetëm i vëllai me bashkëshorten, ndërsa prindërit ndodhen në Oblikë të Shkodrës për pushime.

Lajmi i vdekjes së tij është marrë nga familjarët rreth mesnatës, e në Oblikë janë hapur dyert e mortit.

Familjarët e Admir Bokrinës nuk mund ta besonin se 31-vjeçari iku nga kjo jetë në mënyrë tragjike. Djali i tij i xhaxhait që jeton gjithashtu në Itali, ka publikuar një foto me të. “Është kushëriri im, por praktikisht ishte vëllai im”, thotë ai në një prej komenteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë