Motosport

Kush fiton më shumë, paguan më shumë! Kuotat e kripura në Formula 1 për regjistrimin

Gazeta Si – Rregullat në fuqi parashikojnë që pilotët duhet të paguajnë për regjistrimin në kampionat në proporcion me pikët e fituara. Për pjesën më të madhe, jo për të gjithë, pagesën e bëjnë skuadrat. Ato paguajnë një kuotë fikse dhe një variabël (gjithmonë në bazë të pikëve në klasifikim).

Formula 1 është një nga kampionatet më të pasur dhe më të ndjekur në botë, një event planetar. Në këtë kampionat ka edhe një paradoks: sa më i zoti je, aq më shumë paguan. Kështu ndodh me pilotët dhe me skuadrat. Maks Vershtapen vitin e kaluar ka grumbulluar aq shumë pikë, sa duhet të paguajë më shumë se 1 milion euro, saktësisht 1.217.900 euro, për të garuar në kampionatin e ri.

Një vit më parë ishte në shifrën e 963.800 eurove dhe që atëherë kampioni holandez e quajti absurde këtë gjë. Helmut Marko në atë kohë komentoi: "Kam frikë se nuk do të paguajë ai, duhet të kontrolloj mirë kontratën”. Për këtë çështje më pas Vershtapen deklaroi për një televizion holandez: "Këtë llogari e paguan skuadra, fatmirësisht".

Me shumë mundësi është kështu për shumë pilotë, por jo për të gjithë. Flasim për shifra shumë ta larta, nga 608.900 euro të Serxhio Perez te 12.500 të Logan Sergeant. Duke përmendur pastaj 501.800 të Ljuis Hemilton, 443.000 të Fernando Alonsos dhe Sharl Leklerk dhe 430.400 të Karlos Sainz.

Për shumë prej tyre pagesën e bëjnë skuadrat. Po të marrim në konsideratë shpërblimet e pilotëve nga gjysma e rreshtimit, bëhet fjalë për afërisht 20.000 dollarë për pikë. Kjo do të thotë se për pilotë si Lens Stroll (165.800 euro për të paguar), Pierr Gasli (140.600) dhe Esteban Okon (132.200), më shumë se 60% e shpërblimeve do të shkonte për kuotën vjetore të Superlicencës.

Nuk është kështu vetëm për pilotët, rregullat vlejnë dhe për skuadrat. Red Bull, për rezultatet e 2023-shit (Botërori i Kostruktorëve dhe 2 pilotët në 2 vendet e para), thyen çdo rekord dhe paguan 7.445.817 dollarë, duke kaluar Mercedesin e 2017-ës.

Kuota e regjistrimit në bazë të sezonit paraardhës është futur nga pakti i 2013-ës. Aktualisht parashikon një kuotë fikse për të gjitha skuderitë, 657.835 dollarë, së cilës i shtohet një kuotë variabël në bazë të pikëve,(6.675 dollarë për pikë për skuadrat kliente dhe 7.897 për kostruktorët).

Kështu Mercedesi paguan 3.347.012 dollarë, Ferrari 3.327.287, MekLaren 2.643.487 dhe më poshtë deri në 763.037 për Sauber dhe 736.737 për Has.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë