Ne rrjet

Kush është miliarderja pranë republikanëve në SHBA që financoi 650 mijë $ për sulmin ndaj Kapitol Hill

Sulmi ndaj Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, u financua me kontribute bujare nga një vilë në një fshat të Toskanës në Itali. 

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta prestigjioze “Washington Post”, duke shpjeguar se tetë ditë para bastisjes nga mbështetësit e presidentit Donald Trump brenda Kapitol Hill, një trashëgimtare amerikane, që e ndan kohën e saj midis Floridës dhe Toskanës në Itali, dërgoi 650.000 dollarë për tre organizata që planifikonin tubimin masiv.

Paratë e saj, do të mbulonin pothuajse të gjitha kostot e demonstratës së organizuar në “Ellipse” në 6 janar 2020, e cila përfundoi në mënyrë dramatike me sulmin ndaj tempullit të demokracisë amerikane me katër të vdekur.

Vajza e themeluesit të rrjetit të supermarketeve “Publix” - gati 1.300 dyqane në në juglindje të Amerikës, midis Virxhinias dhe Floridës - Julie Fancelli, 72 vjeçe, ka dhuruar miliona për bamirësi përmes fondacionit familjar, duke qëndruar gjithmonë larg vëmendjes mediatike. 

Julie Fancelli, trashëgimtare e familjes së 39-të më të pasur në Amerikë dhe e martuar me një italian, ishte financuesja kryesor e sulmit në Kapitol Hill më 6 janar 2020

Megjithatë, duke ndjekur gjurmët e parave, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit, zbuloi transfertat e saj, duke theksuar se trashëgimtarja ishte financuesja kryesore e ngjarjes. Më 6 janar, ajo kishte edhe një dhomë të rezervuar në hotelin “Willard”, por nuk preferoi të nisej për në Uashington për shkak të pandemisë.

"Ajo është një grua e pasur që ka bërë gjithmonë një jetë të qetë, kryesisht në Firence, ku prodhon vaj dhe verë", - tha për “The Post” Mel Sembler, organizator i mbledhjes së fondeve për republikanët në Florida dhe ish-ambasador në Itali gjatë presidencës Bush, i cili shkoi për të vizituar gruan në Toskanë, ku ajo jeton që kur u martua me Mauro Fancelli-n në vitin 1972. 

“Ajo është një zonjë e sjellshme nga një familje e mirë - e 39-ta më e pasura në Amerikë, sipas revistës “Forbes”, me një pasuri prej 8.8 miliardë dollarësh - e cila nënshkruan çeqe për gjëra që i konsideron të rëndësishme. Pyes veten nëse ajo e kuptoi se po financonte sulmin më 6 janar”.

Protestuesit pro-Donald Trump çajnë rrethimin policor në hyrje të Tempullit të Demokracisë

Sipas gjetjeve të Komisionit, më 29 dhjetor 2020, gruaja kishte dhuruar 300.000 dollarë për “Women for America First”, një organizatë jofitimprurëse që organizoi ngjarjen dhe 150.000 dollarë për një organizatë tjetër jofitimprurëse të lidhur me Shoqatën e Republikanëve të Prokurorëve të Përgjithshëm, të cilët nga ana e tyre financuan "robocall", thirrjet e automatizuara me të cilat u njoftua demonstrata për të "ndaluar vjedhjen" e zgjedhjeve. 

Ndërkohë, 200.000 dollarë të tjera, shkuan për “State Tea Party Express” dhe u përdorën për reklama në radio dhe media sociale. Po ato ditë, Fancelli foli të paktën një herë në telefon me Alex Jones.

Prezantuesi radiofonik i krahut të djathtë, supremacist i bardhë dhe shpërndarës i njohur i lajmeve të rreme (siç është “Pizzagate”), i dënuar për shpifje në padinë e ngritur kundër tij nga prindërit e viktimave të vogla të Sandy Hook (pretendoi se ishte një inskenim nga aktorë të paguar), Alex Jones, ishte një nga promovuesit e teorisë së vjedhjes së zgjedhjeve përmes faqeve dhe shfaqjeve të tij.

Mbështetësit e Trumpit përplasen me Policinë e Kapitolit në Uashington,SHBA

Sipas familjarëve të Fancelli-t, kontributi i madh i gruas, do të buronte nga pasioni i saj për "komplotistin e madh" Jones, ku ajo kishte krijuar lidhje me anëtarët e familjes së tij dhe me të cilin ra në kontakt të drejtpërdrejtë për të mbështetur kauzën.

"Unë nuk jam i tërhequr nga ai tip, por me sa duket ajo është, si shumë njerëz të tjerë dhe gjithçka në dëm të vendit", - pohon kunati i Fancelli-t, Barney Barnett, një ish-drejtues ekzekutiv i “Pulix”, që besohet të jetë një republikan konservator. "Julie është një nga njerëzit më të mirë që njoh dhe më vjen keq që u përfshi me këtë tip".

Motra e saj, Nancy Jenkins, gjithashtu thotë se i shmanget politikës kur flet me të, duke preferuar të kufizohet në tema më pak përçarëse, si "nipërit e saj dhe koha që do të kalojë në Florida gjatë festave të Krishtlindjeve. Ai tip, - thotë ajo për Jones, - është një agjitator dhe unë nuk e dëgjoj atë".

Protestues të veçantë dhe me flamuj pro-Trump në në koridoret e Kapitol Hill

Fancelli nuk iu përgjigj asnjëherë telefonatave dhe emaileve nga gazeta “Washington Post” dhe lëshoi ​​vetëm një deklaratë muaj më parë: "Unë jam në mënyrë krenare konservatore dhe kam dyshime për integritetin e zgjedhjeve, por kurrë nuk do të mbështes asnjë dhunë, as ngjarjet tragjike dhe të tmerrshme të 6 janarit”. 

Disa javë pas sulmit, në fakt, në një bisedë me një lider të Partisë Republikane - të cilën e financon prej 20 vjetësh - ajo pranoi se nuk e dinte që demonstrata do të kishte implikime të dhunshme. Pavarësisht kësaj, shtoi ajo, mbeti e bindur se zgjedhjet ishin vjedhur dhe do të vazhdonte të "luftonte për Trump".

Pavarësisht se ka dhuruar qindra mijëra dollarë për kandidatët republikanë në të kaluarën, përpara Trumpit, Fancelli ka mbetur gjithmonë nën radar: në vitin 2019 dhe 2020, ajo dhuroi një milion dollarë për ish-presidentin Trump. 

“Nuk kishim dëgjuar kurrë më parë për të”, tha një anëtar anonim i partisë për “The Post”, duke shpjeguar se në vitin 2017, trashëgimtarja u takua me presidenten e partisë, Ronna McDaniel, duke u ankuar se GOP (Grand Old Party, siç njihet Partia Republikane në SHBA), nuk kishte bërë mjaftueshëm për të ndihmuar Trumpin. 

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ndaj të cilit vijojnë hetimet për ngjarjet e 6 janarit 2020

"Ajo është një person i krahut të djathtë, më e zgjuar se shumë financues të tjerë, por ajo ka një tërheqje për Alex Jones dhe ato lloj teorish konspirative".

E themeluar në vitin 1930 dhe asnjëherë e listuar në bursë, “Publix” , e cila gjithashtu mbështet kauzat konservatore dhe ka bërë donacione për guvernatorin republikan Ron DeSantis, pasardhësin aspirues të Donald Trump në presidencë dhe për kandidatët pranë lobit të armëve, NRA, është distancuar publikisht nga Julie Fancelli. 

"Ne nuk mund të kontrollojmë se çfarë bëjnë aksionerët individualë", - specifikoi kompania, e cila është ende në pronësi të familjes, javën e kaluar. “Jemi shumë të mërzitur nga përfshirja e zonjës Fancelli në ngjarjet që çuan në sulmin tragjik të 6 janarit”, - thotë ajo.

Burimi: "Washington Post"; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë