Futboll

Kush është Jasim Bin Hamad Al Thani, sheiku që do të pushtojë futbollin!

Gazeta Si – Është nipi i pronarit të PSG-së, kushëri me pronarin e Mançester Sitit dhe president i "Qatar Islamic Bank". Tani do të blejë Mançester Junajtid dhe ka zyrtarizuar ofertën monstruoze prej 6 miliardë eurosh.

Familja Al Thani është gati të bëhet pronare e një tjetër ‘top- club’-i të futbollit europian. Pas PSG-së, një tjetër pjesëtar i familjes mbretërore të Katarit ka avancuar me ofertën faraonike për të blerë nga familja Glejzër Mançester Junajtid. Për t’ia arritur qëllimit, Jasim Bin Hamad Al Thani ka ofruar shumën e 6 miliardë eurove për 100% të aksioneve të ‘Djajve të kuq’.

Jasim Bin Hamad Al Thani. Gazeta Si, 19 shkurt 2023

Po kush është Jasim Bin Hamad Al Thani? Nip i Tamim bin Hamad Al Thani, emirit të Katarit dhe pronarit të PSG-së. Bankieri që kërkon Junajtid është djali i ish-kryeministrit të Katarit, Hamad bin Jasim bin Jaber Al Thani.

Është gjithashtu i afërm i pronarit të Mançester Sitit, Mansur bin Zayd Al Nahyan, kushëri i Tamim Al Thani. Jasim Al Thani është president i një prej bankave më të mëdha të Katarit, "Qatar Islamic Bank", QIB.

Për momentin, nuk është e qartë sa është pasuria personale e sheikut Jasim Al Thani, por është e sigurt që ai është nga sipërmarrësit më të mëdhenj të Katarit. Djali i një prej figurave më të rëndësishme në vend mes viteve 1990 dhe 2000, bankieri që do të blejë Junajtid është një drejtues i nivelit të lartë, me burime "të palimituara" dhe ambicie të mëdha.

Banka që drejton është instituti më i madh islamik në vend, me seli në Liban, Mbretërinë e Bashkuar dhe Sudan. Një profil top, pjesë e rëndësishme e familjes mbretërore të Katarit, me një kapital të jashtëzakonshëm dhe i rritur në luks.

I përfshirë nga ‘Forbes’ mes njerëzve më të pasur në botë, me një pasuri prej 1.36 miliardë dollarësh, babai i Jasimit në 2015-ën bleu një pikturë të Pablo Pikasos për 180 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë