Njerez

Kush është ish-ministri italian që u hapi shqiptarëve “dyert e Europës”?

"Po vij personalisht në Tiranë për të sjellë tek qytetarët shqiptarë një mesazh të fortë politik pozitiv nga Bashkimi Europian, duke hapur zyrtarisht dialogun për liberalizimin e vizave midis BE-së dhe vendit të tyre. Ky proces synon arritjen e qëllimit të përbashkët dhe të përbashkët që është lëvizjen e lirë të qytetarëve”.  Kjo ishte fjala e mbajtur nga ish-ministri i Brendshëm italian, Franco Frattini gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri në vitin 2008. Dhjetë vite pas kësaj vizite, ish-Komisioneri Europian për Drejtësinë u dekorua me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nga presidenti Ilir Meta, dikur homologu i tij.

Si një nga avokatët më të mëdhenj të liberalizimit të vizave me Shqipërinë,  Frattini pati gjithashtu një rol një të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë dhe ka qenë në një nga mbështetësit e pakursyer për integrimin europian dhe euroatlantik të Tiranës zyrtare.

Gjatë fjalës së tij Meta e cilësoi Frattinin mik dhe avokat i Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe BE. “Zoti Frattini ka padyshim rolin dhe mirënjohjen tonë të merituar për këtë “pranverë të re të miqësisë shqiptaro-italiane. Në Itali ai njihet edhe si Prokuror, sot është edhe Kryetar i Dhomës Gjyqësore të Anti-Mafias dhe Emigracionit në Këshillin e Lartë të Shtetit, por ne shqiptarët e njohim më shumë si Avokat. Në të gjitha detyrat dhe postet e tij politike zoti Frattini ka qenë një nga avokatët më të zëshëm por edhe bindës për avancimin e Shqipërisë, por edhe të rajonit tonë në proceset integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian”, deklaroi Meta gjatë ceremonisë së dekorimit.


Presidenti Ilir Meta dhe  Franco Frattini 

Si gjatë kohës që ishte në krye të ministrisë së jashtme italiane, ashtu dhe gjatë detyrës në Komisionit Europian, Frattini u bë i njohur për politikat gjithëpërfshirëse rajonale dhe nxitjes së kombeve të Ballkanit për përparim të vazhdueshëm drejt BE-së. Ai ka qenë një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe rajonin tonë. Si Zëvendëspresident i Komisionit Evropian dhe Komisioner për Drejtësinë, Liritë dhe Sigurinë, Frattini ideoi dhe nisi zbatimin e procesit të liberalizimit të vizave për Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që më pas, si Ministër i Jashtëm i Italisë, ka qenë protagonist kryesor në mbështetjen e zbatimit të plotë dhe përfundimtar të këtij procesi.

“Për ne shqiptarët, qytetarët më të izoluar të Europës përpara 30 vjetësh, lëvizja pa viza drejt BE pati një impakt dhe përjetim të jashtëzakonshëm emocionesh, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të rajonit”, deklaroi Meta.  “Falë këtij procesi dhjetëra mijëra familje u ritakuan pas vitesh të tëra ndarjeje. Çlirimi psikologjik nga izolimi dhe nga frustrimi i radhëve të gjata përpara ambasadave qe i patregueshëm, edhe pse njerëzit harrojnë shpejt. Por mbi gjithçka, liberalizimi i vizave u risolli atyre dinjitetin e merituar si qytetarët e tjerë europianë. Shqipëria e ka vendosur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si prioritetin e saj më parësor dhe strategjik .Vitin e ardhshëm ne do të kemi një tjetër mundësi për të avancuar marrëdhënien tonë, duke shpresuar dhe duke punuar për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, u shpreh Presidenti Meta.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, 10 vjet më parë, Frattini shprehej se donte që një ditë Shqipëria të ishte pjesë e familjes së madhe europiane.

Franco Frattini dhe ish-kryeministri Sali Berisha 

"Ne duam ta shohim Tiranën në BE dhe është në interesin e vendit që të anëtarësohet në unionin europian. Shqipëria ka një shans shumë të mirë për t'u bërë pjesë e familjes europiane, por ka nevojë për një "pakt politik” mes shumicës për ta çuar vendin më pranë Europës”, deklaroi Fratini në fund të takimit të tij me kryeministrin e atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha. Si ministri i jashtëm italian, ai gjithashtu bëri thirrje për fillimin e reformës zgjedhore në Shqipëri, bazuar në rekomandimet e paraqitura nga misioni i OSBE / ODHIR dhe propozimet nga Këshilli i Europës.

Duke kujtuar liberalizimin e vizave, Frattini u shpreh ditëm e sotme se Shqipëria i ka të gjitha mundësi që të anëtarësohet në BE. "President jam shumë i prekur për këtë dekorim kaq të lartë që ju më keni bërë, duke konfirmuar kështu miqësinë tonë personale, por gjithashtu dhe bashkëpunimin tonë të çmuar. Unë kurrë nuk do ta harroj bashkëpunimin tonë që kemi pasur dikur në role të ndryshme por me një qëllim të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë një vend të përparuar në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së. Jam thellësisht i nderuar dhe i lumtur që vij përsëri këtu në Tiranë si një qytetar i nderuar i këtij kryeqyteti të mrekullueshëm. Jam shumë i lumtur që gjej këtu edhe një herë tjetër kaq shumë miq e kolegë të cilët u përkasin familjeve të ndryshme politike e të cilët kanë ecur së bashku përpara për të mirën e këtij vendi, për të mirën e qytetarëve shqiptarë. Ajo që ne kemi bërë së bashku nuk ishte dhe nuk është për hir të Brukselit, por është për të mirën e qytetarëve tuaj. Sepse ideja që ne kemi pasur në mendje, dhe kurrë nuk do ta imagjinoja një perspektivë ndryshe, përveçse e ardhmja europiane për Shqipërinë" deklaroi ai. 

Shqipëria ka vetëm në rrugë, për t’u bërë një vend anëtar i BE-së dhe unë jam i sigurt dhe shpresoj që në muajin qershor të vitit 2019 ju do të filloni negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Unë e shikoj me sytë e mi kur kthehem në Tiranë, shoh një progres të madh të bërë nga ky vend. Gjithashtu më kujtohet shumë mirë nga vizita ime e parë këtu, kur ju sapo ishit emëruar Ministër në vitin 2003. Unë nuk e njoh më qytetin që nga ajo kohë, duke krahasuar progresin e bërë gjatë gjithë këtyre viteve nga 2003 e deri më sot.

Kush është Franco Frattini

Frattini ka mbajtur për më shumë se një dekada pozita të nivelit të lartë brenda administratës italiane të drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai e nisi karrierën si ish-prokuror publik, ai shërbeu dy herë si Ministër i Jashtëm italian dhe (2004-2011). Pas vitit 2011, Frattini shërbeu si nënkryetar i Komisionit Evropian dhe Komisioner për Drejtësi, Liri dhe Siguri (2004-2008). Ndërkohë në janar të vitit 2018, mori detyrën si Përfaqësues Special i Kryesuesit të OSBE-së për Procesin e Zgjidhjes së konflikteve.

Franco Frattini 

Më parë, Frattini shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit (në vitin 1994), Kryetar i Komisionit Parlamentar për Shërbimet e Inteligjencës dhe Sigurisë dhe Sekretet Shtetërore (në vitin 1996), Ministri i Shërbimit Civil dhe Koordinimi i Shërbimeve të Informacionit dhe Sigurisë (2001- 2002), dhe Anëtar i Komisionit të Kryeministrit për reforma kushtetuese (2013 - 2014).

Ai është aktualisht President i Shoqatës Italiane për Organizatat Ndërkombëtare (SIOI), duke është duke punuar nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Si Përfaqësuesi Special i Kryetarit të Zyrës për Procesin e Zgjidhjes së konflikteve, Fratini është përgjegjës për ndërmjetësimin ndërmjet palëve të përfshira në konflikte politike dhe etnike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë