Arsim

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për “gabimet” në provimin e matematikës?

Maturantët e vijuan edhe të hënën protestën e tyre për testin e matematikës. Shumë pak minuta nga ora që maturantët kishin paralajmëruar për të dalë në protestë, Ministrja Evis Kushi në një deklaratë për media shpjegoi se do të ulet kufiri minimal i pikëve për çdo notë.
Por kjo gjendje ndaj maturantëve është e ripërsëritur pasi edhe vitet e kaluara janë përballur me protesta maturantësh që kanë konstatuar gabime në provimet e Maturës Shtetërore. Sipas maturantëve testi jo vetëm ishte i një shkalle të lartë vështirësie, por edhe me pyetje jashtë programit.
Eksperti i arsimit Fatmir Vejsiu tha për Gazetasi.al se testi i datës 11 qershor nuk është në nivelin e pritshmërisë.
“Ashtu si doli testi në fjalë, QSHA duhet të mbajë përgjegjësi dhe mos t’ia hedh me ndryshim të kritereve të vlerësimit, pasi nuk e ka për herë të parë. Për situatën e krijuar, është mirë që të binden maturantët që testi nuk ishte i vështirë, pasi mbi 80% e testit ishte në nivel normal,” shpjegon eksperti.
Sipas ekspertit ai përmbante shumë ushtrime të thjeshta dhe disa të formuluara jo mirë, duke sjellë kështu shqetësim tek maturantët, të cilët nuk dallojnë dot ndryshimin midis të vështirës dhe të shprehurit jo saktë të një situate matematikore.

Fatmir Vejsiu

Ndërkaq, nëpër rrjetet sociale është aluduar nga maturantët që testi kishte ushtrime të përkthyer nga teste të olimpiadave.
Eksperti Vejsiu shpjegon se ushtrimet që bëjnë sens dhe vetëm se quhen të vështira, janë ato që bëjnë diferencën midis maturantëve të niveleve të ndryshme. Ai shpjegon se nëse ka maturantë që i kanë zgjidhur saktë ushtrimet për të cilat protestojnë të tjerët, sigurisht që ato do vlerësohen ndryshe.


“Të ndryshosh kriteret e vlerësimit pa sens, krijon pakënaqësi ndaj maturantëve për të cilët fola më sipër. Për mua mund të hiqet ushtrimi 6 për të gjithë dhe testi të vlerësohet me 58 pikë maksimale. Ushtrimet e tjera, siç thashë argumentojnë nivelet e ndryshme të maturantëve, pa marrë parasysh vlerësimin gjatë 3 viteve të shkollës së mesme (kujtojmë, që ato mund të jenë edhe fiktive),” shton eksperti.
Maturantët, edhe pse më të paktë në numër se ditën e parë të protestës kanë thënë se janë njohur me vendimin e ministres e sipas tyre “ministrja e bën këtë që t’i zbusë, por ajo ishte një nga kërkesat. Në deklaratën e saj Ministrja gjithashtu nënvizon se pas përfundimit të procesit të Maturës Shtetërore 2021, MASR do të bëjë një analizë të thellë, me qëllim identifikimin e të gjitha problematikave të gjithë procesit të maturës. Ndërkaq në varësi të të gjithë problematikave, Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve duhet të shpjegojë se kush do të mbajë përgjegjësi për “gabimet” e vazhdueshme për provimet e maturës?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë