Ne rrjet

Kush do të jetë bosi i ri i bosëve të Cosa Nostra-s: Lufta mes palermitanëve dhe kandidati ‘Grassone’

Mes emrave, janë edhe Stefano Fidanzati, i familjes së narkotrafikantëve që ndërtuan perandorinë e aktiviteteve të paligjshme mes Milanos dhe Palermos. Në arrati që nga viti 1998, Giovanni Motisi ("i shëndoshi"), i kërkuar për disa vrasje, konsiderohet vrasësi i besuar i Totò Riina-s

Gazeta Si - Mesditën e 29 majit 2018, katër bosët e Palermos humbin gjurmët e tyre për disa orë. Të katërt zhduken. Telefonat celularë janë pa sinjal, të mbajtur nën vëzhgim për muaj të tërë. Heshtje absolute.

Pastaj, papritmas nisin të “cicërojnë”. Dhe Francesco Colletti, bosi mafioz i Villabates, u jep hetuesve çelësin e misterit. Shoferit të tij, i sigurt se nuk do të përgjohej, ai i tregon minutë pas minute samitin që sapo ka përfunduar mes kumbarëve më me ndikim palermitanë.

Dhe zbulon tentativën për të ringjallur komisionin provincial të “Cosa Nostra”-s, të kompletuar me caktimin e shefit të ri të bosëve: Settimo Mineo, 80 vjeç, profesioni zyrtar argjendar, dy vëllezër iu vranë dhe me një dënim në mega-procesin  ndaj mafiozëve.

Kështu, “Cosa Nostra” dëshiron që Kupola të kthehet. Sepse me vdekjen e Totò Riina, mbretit të Korleones, ka nevojë për siguritë e lashta dhe për një organ që vendos "çështje serioze".

Por ëndrra nuk zgjat shumë dhe në një goditje të shpejtë nga Prokuroria e Palermos, Mineo dhe të tjerët përfundojnë në burg.

Kanë kaluar pothuajse pesë vjet nga samiti. Por aspirata për t'u kthyer në kohën e "Komisionit", organit që mbikëqyrte biznesin dhe krimet, nuk ka dështuar kurrë.

“Cosa Nostra” e sotme me siguri ka vuajtur nga “karizma” kriminale e Matteo Messina Denaros, bosit të Castelvetranos, në qendër të Trapanit, i cili përfundoi në pranga pas 30 vitesh në arrati, një ndjekës besnik i masakrave të korleonezëve.

Por, sigurojnë magjistratët, ai nuk ishte kreu i mafies siciliane. "Sepse, - shpjegoi disa herë Prokurori i ri i Palermos, Maurizio de Lucia, - klanet palermitane nuk do të pranonin kurrë të udhëhiqeshin nga një qytetar jo-palermitan. Duke filluar me një bos me origjinë nga Trapani”.

Pra, çfarë do të ndodhë, pasi shefi i një mijë e një mistereve të largohet nga skena, njeriu, thonë disa bashkëpunëtorë të drejtësisë, që ruante sekretet dhe letrat që nuk u gjetën kurrë në “strofkën” e pakërkuar të Toto Riinës?

“Bandat do të përpiqen të kthehen në të kaluarën, – shpjegojnë hetuesit. – Sepse është falë respektimit të ‘rregullave’ të konsoliduara që e drejtojnë atë që mafia ka arritur të mbijetojë ndër vite”.

Dhe respektimi i rregullave parashikon një federatë midis klaneve dhe një komisioni rajonal.

Sigurisht që ka figura karizmatike, personalitete të shquara, disa të burgosur, të tjerë të liruar nga burgu pas vuajtjes së dënimit. Natyrisht, gjithçka duhet kuptuar se cili do të jetë roli i tyre dhe nëse do të kenë një rol.

Giovanni Motisi i njohur si “il Pacchione” (I shëndoshi ose “Boli”), për shembull, bosi mafioz i distriktit Pagliarelli, i arratisur që nga viti 1998.

Sot, po të ishte gjallë, do të ishte pak më shumë se gjashtëdhjetë vjeç. I kërkuar fillimisht për disa vrasje, që nga viti 2001 për organizatë të tipit mafioz dhe që nga viti 2002 i akuzuar për masakra të ndryshme, ka një CV “të respektueshme” penale. Nisur nga roli i "vrasësit besnik" të Totò Riinas.

Ndër të moshuarit, pra, është Stefano Fidanzati, 70 vjeç, nga familja historike e trafikantëve të drogës Arenella, të cilët ndërtuan perandorinë e tyre ekonomike midis Milanos dhe Palermos.

Më i ri, por jo më pak “interesant” për hetuesit: Giuseppe Auteri, i njohur si “Vassoio”, (tabakaja), i rritur nën hijen e shefit Calogero Lo Presti, i cili kishte një vit në arrati, do të ishte ai që do të ruante kasafortën e rrethit Porta Nuova, një nga më të pasurit e qytetit.

Dhe pastaj Sandro Capizzi, pasardhësi i bosit të moshuar Benedetto Capizzi, bosi mafioz i klanit historik të Santa Maria di Gesù, mandati i "princit të Villagrazia", ​​Stefano Bontate, armiku kryesor i Riinës që vdiq në luftën mafioze.

Nëse do të ketë një shef të ri të “Cosa Nostra”-s dhe nëse ai do të jetë njëri prej tyre, është shumë herët të thuhet.

Por sigurisht që bosët e bosëve nuk do të heqin dorë nga ëndrra e lashtë: të ringjallin Kupolën.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë