Para

Kush do e marrë Butrintin? “Të mirat” e projektit që askush nuk i shpjegon

Plani për Menaxhimin e Integruar të sitit të Butrintit e ka fillesën tre vite më parë, por vetëm në 2018-ën u bë publik nga Ministria e Kulturës, pasi Fondacioni Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit ndërtoi qendrën funksionale në Butrint.
Ministrja e Kulturës e asokohe Mirela Kumbaro do të thoshte se “përpara nisjes së punës për ndërtimin e planit, ishte domosdoshmëri pasja e një kornize ligjore të konsoliduar, çka u konkretizua në maj të këtij viti kur Parlamenti miratoi ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ligj për të cilin asistoi gjithashtu edhe AADF-ja”.

Sipas Kumbaros “Hartimi i këtij plani është një përgjegjësi e madhe. Dhe dua që studioja të jetë e ndërgjegjshme për këtë, ashtu sikurse dua ta siguroj se jemi bashkë në këtë etapë të re të zhvillimit të Trashëgimisë Kulturore. Unë besoj se me Fondacionin po nisim një sfidë të re, shumë të bukur, por që tejkalon kufijtë e vendit, sfidën e menaxhimit të ri të një Trashëgimie Botërore. Gjithashtu ky është një moment për t’i dhënë me qetësi përgjigje, disa pyetjeve, dilemave ose edhe sulmeve, po të doni që janë bërë rreth Butrintit”, do të thoshte Kumbaro, duke theksuar gjithashtu se e gjithë puna përgatitore për planin është bërë në komunikim të vazhdueshëm me UNESCO-n.

Por sipas burimeve të Gazetës “Si”, një vit më vonë, kur plani është hartuar dhe dorëzuar pak ditë më parë pranë Ministrisë së Kulturës, asnjë nga emrat shqiptarë që ka punuar në Butrint nuk është angazhuar në hartimin e projektit, as nuk është pyetur. Po ashtu as UNESCO nuk ka njohuri për planin në fjalë.

Në faqen e Fondacionit citohet se ky dokument sjell një model të ri menaxhimi për Butrintin dhe për sitet e tjera të trashëgimisë në Shqipëri.

Projekti është financuar nga AADF me një vlerë prej $250,000, ndërsa Plani u përgatit nga kompania britanike Prince + Pierce në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe partnerë të tjerë publik dhe privat. Në referencë të ligjit të ri për trashëgiminë kulturore në vend, drafti final do ti nënshtrohet dëgjesës publike para miratimit nga Këshilli i Ministrave.
Gazeta “Si” u interesua për planin se çfarë përmban konkretisht, çfarë synon po në terma konkretë, përse do të investohet, cila është leverdisshmëria, impakti ndaj publikut, termat e kontratës për të dyja palët; qeverinë shqiptare dhe Fondacionin, por menaxheri i projektit pranë Fondacionit z.Ilir Parangoni u shpreh se nuk mund të jepte asnjë detaj rreth planit.
“Ne ia kemi dorëzuar Planin Ministrisë së Kulturës, ai është për diskutim dhe ne nuk mund të flasim sepse druhemi mos gjërat nuk shkojnë mirë dhe ne tërhiqemi”, u shpreh z.Parangoni për Gazetën “Si”.

Kurse Ministria e Kulturës tha se “Plani po shqyrtohet tek Trashëgimia Kulturore dhe më pas do të shkojë për vlerësim financiar”. Por as aty nuk patën mundësi t’u përgjigjen pyetjeve tona. Me heshtje u përgjigj edhe Arta Dollani e Institutit të Monumenteve.
Ish-Ministri i Kulturës në 1991, ish-Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo, duke u pozicionuar në pjesën kritike të faktit, e konsideron menaxhimin e Butrintit si një “plotësim” të habitshëm, por dhe krejt të pandërgjegjshëm të të ashtuquajturave PPP, duke e kaluar versionin që subjektet private shqiptare menaxhojnë subjekte shtetërore shqiptare.

“Deri tani nuk kishte ndodhur që subjekte të strukturuara si jo subjekte shqiptare të merrnin në dorëzim për menaxhim pikërisht një nga qytetet më të famshëm të Europës në guidat arkeologjike botërore, Butrintin e Shqipërisë”, thotë Zeqo për Gazetën “Si”.
“Ç’do të thotë të menaxhosh një qytet kaq të pazakontë arkeologjik si Butrinti dhe mjedisin e tij nga një fondacion që as e ka fare idenë apo i mungon plotësisht përvoja e drejtpërdrejtë, me monumentet e Butrintit?”, pyet arkeologu Zeqo. “Kjo është diçka që nuk ka absolutisht asnjë njohje dhe lidhje me arkeologët shqiptarë, studiuesit e shquara të monumenteve të Shqipërisë, të cilët për shumë vjet krijuan Shkollën Shqiptare të Arkeologjisë në një nivel të lartë, me botime, revista shkencore, me konferenca ndërkombëtare të arritjeve arkeologjike, aq sa një arkeolog i madh me të drejtë i quajti arkeologët shqiptarë të denjë, sepse “hyjnë nga Porta e madhe e Arkeologjisë në bashkësinë e studimeve cilësore botërore”, thotë ai.

Zeqo ngre shqetësimin se “si ka mundësi që arkeologët shqiptarë që e njohin Butrintin thellësisht nga përvoja të pashlyeshme as të mos konsultohen, as të mos përfillen qoftë dhe nga një Fondacion me emrin e zhurmshëm Amerikano-Shqiptar; pra të hartohen projekte apo drafte menaxhuese nga njerëz që padyshim janë diletantë në arkeologji.”

Po ashtu, arkeologu Zeqo pyet se “si ka mundësi që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës, të mos bëjë asnjë konsultë me specialistët që ende janë gjallë, por në mënyrë okulte, tinëzare dhe të fshehtë bien dakord për një fondacion që ka të paktën një provë, mjaft kuptimplotë që para ca kohësh bënë sikur restauruan “Pazarin e Gjirokastrës” me fondet e tyre duke treguar një mungesë totale profesionalizmi sidomos në shkuljen e kalldrëmeve”.
Ai e konsideron këtë situatë mjerane.

Moikom Zeqo thotë se qeveria dhe të tëra organizimet që lidhen me rrjetin shtetëror të kulturës duke bërë një zgjedhje të tillë shpallin publikisht “një vdekje të bardhë të arkeologjisë shqiptare, të monumentologëve dhe të dijetarëve”.

Për të, ky është një akt i pastër anti-kulturor dhe anti-shkencor, pra edhe një sindromë e rëndë e një plogështie të pafalshme të vetëdijes qytetare.

Kurse për arkeologun Neritan Ceka, i cili edhe ai nuk është thirrur për mendim, megjithë kontributin e dhënë në arkeologjinë shqiptare dhe në Butrint, plani i menaxhimt të Butrintit është një plan mafioz, nga një Fondacion Amerikan Shqiptar, që ka lënë nam në Gjirokastër, sipas tij.

“Demek sikur restauruan Pazarin e Gjirokastrës me fondet e tyre. Kam parë dhe dokumentuar me foto dhe film mënyrën se si punonin me mjete me zinxhir mbi kalldrëmet e qytetit. Se si shkatërronin me ekskavator kanalizimet dhe ndërtesat e shek XVI-XVII që ruheshin nën ato kalldrëme. Sipas ligjit këto punime duhet të miratoheshin nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe duhet të ndiqeshin nga arkeologët e fondacionit dhe të Drejtorisë rajonale. Askush prej tyre!”, thotë arkeologu Ceka. “Sepse z.Granoff, mik i të gjithë kryeministrave, ministrave e deputetëve, preokupimin më të vogël ka ligjin shqiptar. E shkel, e ndërron si dhe kur i do qejfi. Dhe në fund, a e dini çfarë ndodhi? Për herë të parë në kaq shekuj u përmbyt pazari i Gjirokastrës. Në çdo vend të qytetëruar, me një traditë të gjatë të kujdesit për trashëgiminë kulturor, ky fondacion do të ishte mbyllur dhe jo t’i jepet Butrinti.”

Për profesor Cekën, ky është një eksperiment si shumë të tjerë që janë bërë me pasurinë kulturore kombëtare nga qeveritarë jopatriotë dhe dashakeqës ndaj kulturës.
Fakti, thotë profesor Ceka, që Plani është hartuar, miratuar në fshehtësi dhe nuk është bërë publik ka hile.

Ky është një model unik në Europë, sipas tij i menaxhimit të një Siti arkeologji i përmasave dhe vlerave të tilla, jo vetëm për Shqipërinë, por në botë.
Sipas profesor Cekës, në Europë pasuri të tilla menoxhohen nga Drejtoritë Rajonale.
Ai shpjegon se vërtet menaxhimi aktual lë për të dëshiruar, por sërish është faji i qeverive që kanë vendosur njerëz të paaftë për të përfituar tendera dhe ta katandisin atë dhe pasuri të tilla ashtu siç kanë përfunduar tani.

Ceka tregoi për Gazetën “Si” se UNESCO nuk është vënë në dijeni për këtë ngjarje, e cila e mbron Butrintin që prej 1992-it. Reagimi i UNESCO-s ka qenë zhgënjyes. “Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e ngjashme. Jemi të zhgënjyer”, pat thënq atëherë ky organizëm ndërkombëtar.

Fondacioni Amerikano Shqiptar i Zhvillimit thotë në sitin e tij të internetit se është një organizatë që zbaton projekte drejtpërdrejt dhe është e fokusuar në zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme të tregut të lirë dhe të një shoqërie demokratike në Shqipëri.
Fondacioni në 10 vite jetë ka disa projekte në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri duke bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës.

 

Më Shumë