Politike

Kurti takon Metën, Berishën dhe Bashën

Pas kryeministrit Edi Rama, Albin Kurti është takuar sot në Tiranë me presidentin Ilir Meta, kreun e PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Fillimisht kryeministri i ardhshëm i Kosovës është takuar me zotin Meta , i cili thotë se e uroi Kurtin për suksesin në zgjedhje.

“Uroj që Kosova të ecë në rrugën e forcimit të institucioneve demokratike, që të jetë një shembull pozitiv në të gjithë rajonin, siç e dëshmoi edhe në zgjedhjet e fundit, për standardet demokratike, por edhe për mirëqeverisjen" shkruan Meta.

Më pas, Kurti mësohet se është takuar edhe me zotin Basha, me të cilin sipas kreut të PD-së është diskutuar për moscënimin e kufijve të Koosvës.

Në një njoftim zyrtar, Lulzim Basha thotë se e vlerësoi kreun e Vetëvendosjes për qëndrimin ndaj kauzës së drejtë të studentëve e pedagogëve dhe protestës së tyre.

“Basha dhe Kurti ndanë të njëjtin mendim mbi rëndësinë që ka dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e mos-cënimit të integritetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës dhe unitetin politik me të cilin Kosova duhet të përfaqësohet në këtë dialog”, thuhet në njoftimin e PD-së.

 Në një intervistë, kryeministrii ardhshëm i Kosovës ka deklaruar po ashtu se edhe me kryeministrin Rama ka folur për rrezikun e shkëmbimin e territoreve, duke theksuar se kreu i qeverisë shqiptare është kundër këtij skenari.

Albin Kurti dhe presidenti Ilir Meta

“Me Ramën kemi diskutuar për shkëmbimin dhe kemi vendosur qe të mos ketë dallime mes qëndrimeve të Prishtinës e Tiranës, karshi Serbisë. Takimi ishte konstruktiv, unë mund të them atë që më tha kryeministri Shqipërisë qe nuk është për një shkëmbim territoresh. Unë dua të besoj se ky është një element thelbësor për bashkëpunimin tonë tani e në vijim”

Por kreu i Vetëvendosjes ka takuar më pas edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, më të cilinm duket se ka diskutuar për bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në këtë takim diskutuam gjërësisht mbi zhvillimet ne rajon dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës në interesin më të mirë të dy vendeve dhe të kombit tonë si dhe bashkëpunimit rajonal. Takimi ishte i hapur dhe miqësor" shkruan Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë