Kosova

Kurti: Po nisim t’ua hapim rrugën zgjedhjeve të parakohshme në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Kosova ka nisur t'ua hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, në kuadër të marrëveshjes së arritur me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.

Ai i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, më 10 korrik në Bratisllavë.

“Prej javës së kaluar e kemi zvogëluar prezencën e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t’ua hapim rrugëve zgjedhjeve të parakohshme. Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në, në Bratisllavë, për shtensionim të situatës”

Një ditë më parë, Kurti është takuar me Lajçakun në Kretë të Greqisë, dhe kryeministri ka thënë se palët kanë diskutuar për këtë temë.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.

Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë