Kosova

Bislimi dhe Petkoviç takohen sot në Bruksel, BE-ja në kërkim të normalizimit

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të qëndrojnë sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut, në një përpjekje për të kthyer procesin në normalitet.

Me ftesë të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në Bruksel do të takohen zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviç.

Sipas burimeve të BE-së janë dy qëllime kryesore të takimeve që Lajçak sot do të ketë me shefat e delegacioneve për dialog:

I pari është fokusi në implementimin e plotë të Marrëveshjes për të cilën palët ishin pajtuar me 27 shkurt në Bruksel si dhe aneksit për implementim të dakorduar në Ohër në muajin mars.

Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim të Lajçakut dhe shefit të delegacionit të Kosovës, Bislimi.

Kosova thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat ishin pajtuar.

Takimet pritet të nisin në mëngjes, por burimet në BE nuk kanë bërë të ditur se deri kur mund të zgjasin.

Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian thonë se është synim që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një gjë të tillë nuk është konfirmuar.

Një burim i BE-së ka thënë se “kjo do të varet nga vullneti dhe gatishmëria e palëve, më saktësisht kryenegociatorëve, për t’u takuar mes vete“ ndërsa BE-ja “gjithsesi ka synim që të ketë edhe takim trepalësh“.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë