Kosova

Kurti në Kuvend: Nëse Serbia nuk ndëshkohet, ajo do ta përsërisë krimin

Nga Gazeta 'Si'-Kuvendi i Kosovës është pajtuar që të hartojë një projekt-rezolutë për dënim të sulmeve që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Seanca e 28 shtatorit nisi me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë, Afrim Bunjakut.

Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.

Kurti bëri thirrje në Kuvend për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin në Banjskë.

“Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”.

Mes tjerash Kurti ka bërë thirrje që organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës.

Qeveria e Kosovës i ka shpallur këto dy organizata si terroriste, më 29 qershor.

Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë.

Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur, sipas saj, është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës.

“E diela që lamë pas shpërfaqi një sulm të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër”, ka thënë ajo, teksa e ka përmendur armatimin e gjetur nga Policia e Kosovës në zonën e sulmit.

Kryetari i partisë opozitare, Partia Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për ta vërtetuar përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.

“Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës, e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikanë tonë, adresën kryesore e ka në Beograd”.

Ai ka thënë se Kosova duhet të kërkojë “ekstradimin e terroristëve nga Serbia, të cilët e kanë kryer sulmin ndaj mbi shtetin tonë”.

Kryetari i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se synimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë krijimi i një realiteti të ri në veri.

Sipas tij, përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj sulmit ka qenë “më adekuatja e mundshme”.

“Faktet janë të qarta. Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Kosova nuk e ka vrarë një polic të shtetit tjetër. Nga Kosova nuk janë nisur mjete e trupa ushtarake drejt një shteti tjetër. Në Kosovë nuk janë kthyer individë të armatosur, pasi e kanë vrarë një polic të shtetit tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare".

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë