Kosova

BE-SHBA kritika Serbisë për shpalljen e zisë: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me të sulmuesve

Nga Gazeta ‘Si’ - Bashkimi Europian në fillim dhe SHBA më pas përmes Departamentit Amerikan të Shtetit, ka kritikuar Serbinë lidhur me shpalljen e ditës së zisë për sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës më 24 shtator.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për gazetarët se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

Ai shtoi se në zyrat e BE-së në Prishtinë flamuri u ul në gjysmështizë të hënën - pasi në Kosovë ishte ditë zie – për të nderuar policin e vrarë të Kosovës, Afrim Bunjaku, por nuk ka vepruar kështu kur në Serbi u shpall ditë zie.

“Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën zyra e BE-së në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit qyqar terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë Josep Borrell më 24 shtator.

Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Europian

Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë. Në përgjithësi, BE-ja është fundamentalisht kundër madhërimit të kriminelëve dhe terroristëve dhe kundër mbajtjes së zisë për ta”, tha Stano.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se nuk mund t'i konsiderojë "kurrë terroristë" sulmuesit në Banjskë. Duke u përgjigjur në pyetjet për këtë deklaratë, Stano tha se sipas BE-së, sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ishte sulm terrorist dhe si i tillë duhet të trajtohet dhe hetohet.

“Para së gjithash më lejoni të përsëris shumë qartë qëndrimin e Bashkimit Evropian për atë që ndodhi të dielën. Ai ishte një sulm terrorist dhe si sulm terrorist duhet të hetohet. Dhe ata që janë përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë. Secili që ka rol duhet të bashkëpunojë në mënyrë që ky sulm terrorist jo vetëm të hetohet në tërësi, por të ketë përgjigje para drejtësisë për ata që e planifikuan, kryen dhe që qëndrojnë prapa këtij sulmi”, tha Stano.

Ai shtoi se BE-ja “nuk lëshohet në komente për çdo deklaratë apo secilin interpretim”, por theksoi se “duhet të ketë qartësi për atë që ndodhi të dielën”.

Më herët BE-ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur nëse do të ndërmarrë masa, teksa në bllok disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet për rastin në Banjskë të Zveçanit.

Mbrëmjen e të enjtes, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mbajti qëndrim, duke dalë kundër krahasimit me agresionin e grupit terrorist.

“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 Shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller.

Më 24 Shtator, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.

Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.

Sulmuesit e dyshuar, që sipas autoriteteve në Kosovë ishin rreth 30, u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.

Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona janë arrestuar për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të e fajëson Serbinë.

Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje. Më 27 Shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë. Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë