Politike

Kurti feston fitoren në Tiranë, lë të hapur futjen në zgjedhje në Shqipëri

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ishte sot pasdite me simpatizantë dhe mbështetës në Tiranë për të festuar fitoren e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Një takim i zhvilluar në pjesën e pedonales në rrugën që të çon drejt Parlamentit, e që u organizua nga Lëvizja Vetëvendosja, dega Tiranë.
Në një prononcim për median Kurti shprehet se do të kthehej brenda ditës në Kosovë dhe se në axhendë nuk parashikohet takimi me kryeministrin Edi Rama, edhe pse tha se përballja mes tyre do të ndodhë së shpejti. "Do kthehem sonte në Kosovë por do ta takoj së shpejti kryeministrin e Shqipërisë. Është çështje ditësh dhe jo javësh kjo punë", deklaroi Kurti. Ndërsa e ka cilësuar si një padrejtësi të madhe që iu është bërë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sa i përket vendimit për refuzimin e negociatave me BE-në.
"Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë më shumë. Çështja në Ballkan e këtyre 6 vendeve ende të paintegruara në BE është se Kosova nuk ka ende liberalizim të vizave, vendet e tjera i kanë. Mendoj se është bërë padrejtësi që Republika e Shqipërisë dhe Maqedonia e Veriut nuk po fillojnë negociatat për anëtarësim, ju takon dhe e kanë merituar një gjë të tillë", deklaroi lideri i Vetëvendosjes.

Duke komentuar takimin në Novi Sad të kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Presidentit të Serbisë për minishengenin ballkanik, kreu i Vetëvendosjes dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, ka një mesazh të qartë: Kujdes me Serbinë!

"Mendoj që duhet të kemi kujdes sa i përket raporteve me Serbinë meqenëse dihet se çfarë u ka bërë Serbia shqiptarëve nga njëra anë dhe dihet që para tre viteve tentoi një puç në Maqedoni të Veriut, por i dështoi, një puç bashkë me Rusinë. Është në interes të Serbisë që të duket sa më normale ndërkohë që nuk është", tha ai.

Albin Kurti duke folur per mediat ne Tirane


Albin Kurti e ka lënë të hapur pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri të Lëvizjes Vetëndosje. Ai tha se Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka autonominë e plotë të qëndrimeve dhe veprimeve. "Unë jam këtu me ftesë të qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje të Shqipërisë dhe këta e kanë autonominë e qëndrimeve dhe të veprimeve. Nuk është se unë apo VV në Kosovë e diktojmë një të tillë. Nuk jam në një vizitë zyrtare, kam ardhur të festoj fitoren e Vetëvendosjes dhe ti falenderoj të gjithë aktivistët dhe vullnetarët të cilët nga Tirana dhe vende të tjera të Republikës së Shqipërisë erdhën dhe na e mundësuan fitoren e përbashkët në Kosovë. Tash duket që duhet të kremtojmë nga dy herë edhe në Prishtinë edhe në Tiranë meqenëse të dyja kontribojnë dhe të dyja përfitojnë nga fitorja e lëvizjes sonë", tha më tej Kurti. Vetëvendosja u regjistrua si degë me vete në Shqipëri pas një vendimi të Gjykatës. Në Tiranë ajo figuron si OJF, por se tashmë me këto lëvizjet e reja nuk përjashtohet mundësia që të përfshihet edhe në betejën politike. Ndërsa janë jo të pakët shqiptarët në Shqipëri që kanë kontribuar në politikën në Kosovë, nën siglën e "Vetëvendosjes", duke u përfshirë edhe në listat për kandidatët për deputetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë