Kosova

Kurti: Drafti BE-SHBA për Asociacionin në përputhje me Kushtetutën. Serbia po pengon dialogun

Nga Gazeta 'Si'-Pas kthimit në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se Serbia refuzoi të nënshkruante një draft-statut për Asociacionin të sjellë për palët nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë masa ndaj Beogradit për këtë sjellje penguese në dialog, dhe sqaroi pse pranoi propozimin modern europian për formimin e Asociacionit.

“Në takimin e 21 tetorit nga emisarët amerikanë dhe evropianë, na është thënë se drafti për vetëmenaxhim që është sjellur është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashikohej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë ndaj këtij propozimi si përgjigje”, tha kryeministri.

Kurti tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është penduar për pranimin e marrëveshjes, ndërsa konfirmoi edhe njëherë se kishte ofruar, ashtu si në Procesin e Berlinit në Tiranë, që ta firmoste atë bashkë me aneksin e zbatimit.

“Presidenti i Serbisë kërcënon dhe i përmbush ato kërcënime me këso letra që thonë tri gjëra, ‘Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës’. Kjo e treta në fakt është një shtesë, sepse këto dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët. Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i pa pranueshëm”, shtoi ai.

Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takime të ndara me udhëheqësit e BE-së, si presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Georgia Meloni dhe ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak gjatë të enjtes.

Por këto përpjekje të tyre përfunduan pa rezultat për të bindur palët që të kthehen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, përmes një deklarate, fajësoi Kurtin dhe Vuçiçin për këtë dështim të radhës, duke nënvizuar se ata erdhën me kushte të reja në takim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë