Kosova

Kurti bisedon me Escobar: I gatshëm të angazhohem aktivisht në takimin e së enjtes me Vuçiç

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka biseduar me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me raundin e ri të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Sipas Zyrës së Kurtit, kryeministri kosovar bisedoi me emisarin amerikan “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”, u tha në njoftim.

Më 14 shtator, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel do të mbahet raundi i ri i dialogut në nivel të lartë.

Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë