Kosova

Gjermania kërkon zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi

Nga Gazeta 'Si'-Para takimit të 14 shtatorit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Vuçiç, vijnë porositë nga Gjermania.

Raundi i ri i dialogut të nivelit të lartë zhvillohet pas muajsh tensionesh të larta në veri të Kosovës.

Diplomacia perëndimore sërish është vënë në lëvizje në përpjekje për të shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi për përmirësimin e raporteve.

Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, pas takimit me kryeministrin Kurti në Prishtinë shkroi në platformën X se “më në fund na duhet një përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti nga ana e tij, tha se me deputetin gjerman “është diskutuar rreth reformave të Qeverisë, për situatën aktuale në vend, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet të enjten e kësaj jave”.

Gjermania kërkon si nga Kosova edhe Serbia që të zbatojnë marrëveshjen drejt normalizimit dhe të përkushtohen për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, tha se “raundi i ri i dialogut në nivel të lartë, i caktuar për 14 shtator, vjen në një moment kritik”.

“Takimi i nivelit të lartë më 14 shtator vjen në një moment kritik. Na duhet përkushtimi i plotë i të dyja palëve për shtensionim të plotë, për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për një demokraci pjesëmarrëse. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet tani. Nuk duhet të ketë më lojëra për të fajësuar të tjerët. Hiqni pengesat për përparim. Është koha të veprohet në të mirë të të gjithëve”, shkroi Rohde në X, që më herët njihej si Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë