Treg

‘Kurthi i varfërisë’ dhe kostoja e formalizimit në tregun e punës në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Studimi i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor gjen se formalizimi i punës informale nuk përkthehet në përmirësim real të të ardhurave, për shkak të politikave fiskale.

Ky fenomen njihet si “norma e taksimit të formalizimit” dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, mund të arrijë në 70-80% për nivelet më të ulëta të pagave, llogarit Banka Botërore.

Konkretisht, kjo do të thotë se një individ që kalon nga puna informale në atë formale mund të humbasë deri në katër të pestat e të ardhurave shtesë. Për krahasim, në vendet e OECD kjo normë është zakonisht 30-40%. Diferenca është thelbësore dhe ka pasoja të drejtpërdrejta në sjelljen ekonomike: kur përfitimi neto nga formalizimi është minimal ose negativ, qëndrimi në informalitet bëhet një zgjedhje racionale.

Ky mekanizëm prodhon atë që njihet si “kurthi i varfërisë”. Individët mbeten të bllokuar në nivele të ulëta të të ardhurave jo domosdoshmërisht për shkak të mungesës së mundësive, por sepse sistemi nuk i shpërblen përpjekjet për t’u integruar në tregun formal të punës. Në këtë kuptim, informaliteti nuk është thjesht një devijim nga rregullat, por një reagim i parashikueshëm ndaj stimujve të krijuar nga politikat publike.

Në Shqipëri, problemi i punësimit formal nuk është mungesa e tregut, por me sistemin fiskal e social të vendit. Në teori, sistemi i taksimit duhet të jetë progresiv dhe të mbështesë shtresat më vulnerabël. Në praktikë, në Shqipëri dhe në rajon ndodh e kundërta në segmentin e pagave të ulëta. Kontributet e sigurimeve shoqërore, të kombinuara me ekzistencën e një baze minimale kontributesh, krijojnë një barrë disproporcionale për punonjësit me të ardhura të ulëta dhe për punësimin part-time.

Kjo bazë minimale, thekson Banka, nuk është e lidhur me orët e punës apo me pagën reale, çka e bën punësimin formal me kohë të pjesshme relativisht të kushtueshëm për punëdhënësit. Si pasojë, këto lloj kontratash janë të rralla, duke kufizuar fleksibilitetin në tregun e punës dhe duke prekur në mënyrë të veçantë gratë, të cilat shpesh përballen me kufizime kohe për shkak të përgjegjësive familjare.

Në Shqipëri, ndryshe nga disa vende të rajonit ku përfitimet ndërpriten menjëherë, përdoret një formulë për përcaktimin e përfitimit. Megjithatë, pragjet e ulëta të përjashtimit bëjnë që shumë familje të humbasin të drejtën për ndihmë sapo deklarojnë të ardhura, edhe në nivele modeste.

Sipas Bankës, në nivel mikro, ajo ul motivimin për të kërkuar punë formale, kufizon mobilitetin social dhe pengon investimin në aftësi, pasi kthimi nga puna formale perceptohet si i ulët. Në nivel makro, ajo mban të lartë nivelin e informalitetit, ngushton bazën tatimore dhe dobëson financimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.

Edhe pse Shqipëria aplikon një sërë politikash të tregut të punës, ndikimi i tyre mbetet i kufizuar për shkak të mbulimit të ulët dhe financimit minimal. Vetëm rreth 5-9 për qind e të papunëve përfitojnë nga këto programe, ndërsa shpenzimet publike janë rreth 0.02% e PBB-së, ndjeshëm më poshtë se mesatarja e BE.

Për të thyer këtë cikël, BB kërkon një rishikim të thellë të politikave ekzistuese, nga ulja e barrës fiskale për pagat e ulëta, riformatimi i ndihmës sociale, si dhe krijimi i mekanizmave që shpërblejnë hyrjen në punë formale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë