Futboll

“Kurrë më italian", Demi bën përjashtim dhe prezanton fiksimin Sormani te Partizani

Adolfo Sormani është zyrtarisht trajneri i ri Partizanit. Marrëveshja mes italianit 54-vjeçar dhe klubit të kuq është arritur për dy vite e gjysmë. Sormani, i cili është prezantuar nga vetë presidenti Demi, do të nisë aventurën e dytë në krye të të kuqve, ku do të pasojë patriotin e tij, Franko Lerda, i shkarkuar disa javë më parë.

Në fakt, për “timonierin” e ri të Partizanit pritej një zgjedhje tjetër, duke pasur parasysh deklaratën e presidentit Gaz Demi pas shkarkimit të Lerdës: “Kurrë më trajner italian”. Një konstatim logjik i numrit 1 të klubit, duke ditur që trajnerët italianë kanë rezultuar zhgënjim te Partizani, veçanërisht Mark Iuliano dhe Franko Lerda. Për ta janë shpenzuar shumë të mëdha dhe rezultatet kanë qenë larg asaj që pritej nga ekipi. Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një përjashtim.

Trajneri Adolfo Sormani firmos kontratën me Partizanin. Gazeta Si, 4 janar 2020

Adolfo Sormani e ka drejtuar Partizanin 4 muaj në periudhën korrik 2016-tetor 2016 dhe ka lënë përshtypje nga më të mirat te presidenti Demi, i cili gjithmonë e ka pranuar se largimi i këtij trajneri ka qenë një gabi i madh i tij. Kujtojmë që në atë kohë të kuqtë patën një ecuri të mirë në Kupat e Europës, skuadra ishte solide dhe disa lojtarë dolën thuajse nga “hiçi”. Kemi parasysh këtu rastin e Ylber Ramadanit, i cili u evidentua nga trajneri Sormani, luajti rregullisht me të kuqtë, më pas edhe me ekipin Shpresa dhe Kombëtaren e madhe, për t’u shitur te Vejle në Danimarkë, në ekipin që drejtohej pikërisht nga italiani.

Përveç Vejles, gjatë kësaj kohe trajneri Adolfo Sormani ka pounuar edhe në Kinë, ku ka qenë zëvendëstrajner. Ai është një mbështetës i madh i brezit të ri dhe pritet ta ndryshojë situatën te Partizani. Kampionët nuk kanë bindur në gjysmën e parë të sezonit dhe ndryshimi në stol u duk i pashmangshëm, aq më tepër duke parë edhe karakterin shumë të vështirë të Lerdës, i cili pati shpesh kontradikta me stafin dhe lojtarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë