Lajme

“U kërcënua nga deputeti Rraja dhe i biri”, nis hetimi për oficerin Nuhu

Prokuroria e Përgjithshme reagon për denoncimin e nënkomisarit Emiljano Nuhu, i cili ishte i pari që bëri publike çështjen e Xhisiela Malokut, të denoncimit të përdhunimit nga Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.  Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme pohon se e ka marrë letrën e nënkomisarit të policisë,   Nuhu, i cili ndodhet i strehuar në Zvicër, dhe se e ka nisur hetimet për pretendimet e ngritura nga Nuhu

“Prokuroria e Përgjithshme sqaron se pranë saj, është dërguar për dijeni, letra e nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu. Pavarësisht se shkresa e nënkomisarit Nuhu është e dërguar për dijeni, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar materialin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e kërkuesit Emiljano Nuhu, për kërcënimet dhe frikën për jetën. Sipas parashikimeve të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009 “Për Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” është kërkuar të vlerësohet situata e paraqitur nga kërkuesi Emiljano Nuhu”, theksohet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjithashtu bëhet e ditur se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka informuar se pranë kësaj prokurorie është regjistruar procedimi penal Nr.7103 për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.

“Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë nr. 6 mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Emiljano Nuhu. Në kallëzim, sikurse në shkresën e dërguar për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzuesi pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja. Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen. Hetimi vijon me intensitet në drejtim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, evidentimit të faktit penal dhe personave të dyshuar si të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nuhu është nënoficeri i policisë që denoncoi nëpërmjet një interviste në median vizive çështjen “Xhisela”, duke theksuar se pas nisjes së procedimit ai është kërcënuar nga deputeti i PS-së, Rrahman Rraja dhe i biri tij, Rexhep Rraja për ngjarjen e ndodhur më 21 korrik.

Në një intervistë televizive, Nuhu deklaroi se ka i ka dërguar zyrtarisht me email drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe ministrit të Brendshëm ku i kërkon mbrojtje ndaj kërcënimeve të marra.

“Në email i kam treguar rastin dhe kërcënimin që më është bërë nga shtetasit në datën 30 korrik të 2018 dhe ngjarjes se si ka ndodhur me hollësi ca përfaqësonin njerëzit që më kërcënuan dhe rrezikshmërinë e tyre.  Dhe për shkak të këtij problemi drejtori i Përgjithshëm duhet minimalisht të më kishte thirrur dhe të më kishte pyetur si qëndron problemi dhe pastaj ta vlerësonte kisha nevojë unë për ndihmë, për mbështetje për mbrojtje, ose s’kisha. Por drejtori i Përgjithshëm as këtë gjë minimale nuk e bëri për të më pyetur si qëndron e vërteta”, deklaroi Nuhu në një intervistë për News 24.

Gjithashtu ai thekson se pasi mori informacionin se donin ta vrisnin më 12 shtator mori vendimin për t’u larguar nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë