Lajme

Kur forcat speciale RENEA i mbyllën aksionet me viktima

Reparti Special Renea u krijua në vitin 1991 si repart special kundër krimit dhe u pagëzua me emrin, Reparti i Neutralizimit te Elementeve te Armatosur, shkurt RENEA. Ai  vazhdon të mbetet repart elitar, ndonëse kohët e fundit specialët kanë pasr shumë lëvizje si në nivelin drejtues dhe atë operues, ndërsa aktualisht dominojnë shumë të rinj të rekrutuar nga ushtria. RENEA përherë shoqërohet nga snajperist dhe negociator në çdo aksion. Por në rast se negociatori dështon për dorëzimin e autorit dhe në rast se shkëmbimi me armë zjarri është nën rrezik real, RENEA qëllon drejtpërdrejt. Më i fundit i një rasti të tillë, u mbyll me vrasjen e Konstandinos Katsifas.

Por cilat janë rastet që janë mbyllur me viktima?

Rasti i grupit të Polovinës në Berat: Tre kriminelë të këtij grupi të shumëkërkuar pasi kishin ekzekutuar policë, morën peng një fëmijë. Gjatë aksionit të RENEA-s, të tre anëtarët e grupit u ekzekutuan.

Francesk Gjini: Operacioni për Gjinin është më i gjati. 16 orë aksion në Lezhë. Policia lokale dërgoi informacion për vendndodhjen e shumë të kërkuarit, i cili kishte vrarë efektivë policie dhe ia kishte dalë mbanë të largohej. Pas ndërhyrjes dhe thirrjeve për dorëzim, autori i armatosur në mënyrë të pandërprerë qëlloi ndaj policisë. Francesk Gjini u vra pas 16 orëve aksion.

RENEA ekzekutoi një të sëmurë mendor në Berat: Ai kishte vrarë dy efektivë policie në spital, pasi ata u përpoqën t’i jepnin ujë. Pas arratisjes  autori u fsheh në malet e Beratit ku edhe u gjet nga RENEA e cila e qëlloi për vdekje. Për këtë rast pati edhe reagim nga Avokati i Popullit, që dyshoi se viktima kishte qenë i paarmatosur. Në përfundim të hetimeve rezultoi se viktima kishte vjedhur një armë në një stan dhe ishte qëlluar gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Sabri Shurdhi: U vra në Lazarat nga forcat RENEA dhe pikërisht gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ai refuzoi të dorëzohej dhe qëlloi ndaj policisë. Vrasja e tij shkaktoi protesta të banorëve të Lazararit, të cilët në atë kohë jetonin në një fshat që ishte jashtë kontrollit të shtetit.

Në Shkodër: Në aksion e sipër, sërisht në shkëmbim me armë zjarri, janë regjistruar dy vrasje të Tom Begesë dhe të Pëllumb Ndrevatës .

Në Tiranë: Është vrarë i kërkuari Arben Hoxha pranë Xhamllikut.

Ndërsa në Cërrik: U vra Agim Peqini i cili pas negociatave nuk pranoi të lironte pengjet që ishin të afërm të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë