Shendet

Alergjitë, armiku i ri i shqiptarëve

Shpesh herë kemi dëgjuar nga mjekët shprehjen “ne jemi çfarë hamë” dhe vetëm në atë moment mendohemi se çfarë ushqimi kemi konsumuar. Secilit, mund të na ketë ndodhur të përjetojmë një situatë të pakëndshme pas konsumimit të ushqimit, si të vjella dhimbje barku etj. Në përgjithësi kur hasim situata të tilla, direkt na shkon mendja se mund të kemi përjetuar një reaksion ushqimor, por në shumë raste kemi të bëjmë me alergjinë ushqimore.
Shumë njerëz në botë vuajnë nga kjo sëmundje dhe gjatë gjithë kohës shohim një zhvillim të pandalshëm të saj. Alergjia ushqimore është tejet e rrezikshme dhe duhet të kontrollohet gjatë të gjithë kohës. Këto reaksione alergjike kanë në bazën e tyre reagimin e sistemit tonë imunitar (imunoglobulinën E – IgE) e cila shfaqet menjëherë pas konsumimit së ushqimit.   

Një studim amerikan, tregoi se është reduktuar me 80% numri i një grupi fëmijësh alergjik, pasi kishin ndaluar së ngrëni peshkun. Ndërsa mjekët në Mbretërinë e Bashkuar thonë që është rritur ndjeshëm numri i vdekjeve nga alergjia ushqimore.
Por në çfarë situate gjendet vendi ynë për sa i përket kësaj sëmundjeje?
Alergologia Eris Mësonjësi thotë për Gazetën "Si" se në vendin tonë nuk ka një studim të mirëfilltë të alergjisë ushqimore.

Alergologia Eris Mësonjësi

“Nëse për alergjinë respiratore janë bërë shumë studime epidemiologjike në vitet 1995, 1998, 2002, 2011 për të parë prevalencën, për alergjinë ushqimore nuk kemi studim të mirëfilltë. Të dhënat nga puna e përditshme dhe nga incidenca që shikohet tek pacientët tregojnë se është në rritje alergjia ushqimore dhe po fillon të gjendet më shumë në moshën e rritur, por të dhëna të mirëfillta me një numër të saktë, nuk ka në vendin tonë,” thotë Mësonjësi.
Alergologia tregon se ushqimet të cilat shkaktojnë më së shumti alergji janë veza dhe qumështi te fëmijët dhe frutat e thata dhe familja e peshkut tek të rriturit. Ajo shpjegon se reaksionet mund të shkaktojnë shok anafilaktik që mund të jetë kërcënues për jetën, në moment që nuk kurohet në kohë.

“Diagnoza duhet të përcaktohet në kohën e duhur në mënyrë që të ketë një plan veprimi dhe pacienti të dijë si të mbrohet nga alergjia ushqimore. Hap tjetër shumë i rëndësishëm është që të lexohen me shumë kujdes etiketat e ushqimeve, për të kuptuar çfarë përmbajnë,” shprehet ajo.
Për të gjitha produktet që tregtohen kjo është temë e nxehtë edhe në Europë. Sepse jo të gjithë ingredientët shkruhen në etiketa. Sipas alergologes, në Shqipëri nuk ka pasur raste vdekjesh pasi janë trajtuar në kohë, por ka shumë persona të cilët shkojnë në spital në gjendje të keqe.

Pjesa më e madhe e alergjive ushqimore, nisin në vitin e parë ose të dytë të jetës. Disa prej tyre mund të zhduken dhe disa të tjera mund të të shoqërojnë përgjatë gjithë jetës. Në fakt, ushqyerja ekskluzivisht me gji është cilësuar nga mjekët, një faktor shumë i rëndësishëm mbrojtës kundër alergjisë.
“Këtu kemi pasur raste ku veza edhe frutat si luleshtrydhja, kivi dhe disa produkte të qumështit, i ka çuar në gjendje shumë të rëndë pacientët. Diçka tepër kufizuese për këtë sëmundje është se nuk ka një kurim. Nëse për alergjinë respiratore ka vaksina, për alergjinë ushqimore janë bërë tentativa për të krijuar një lloj vaksine në disa vende, por nuk janë parë shumë efektive,” thotë alergologjia.

“Kjo sëmundje gjithmonë është një “këmbanë alarmi”, pasi personat e diagnostikuar e kanë jetën shumë të kufizuar. Alergjia ushqimore është një ndër sëmundjet e cila të prish në mënyrë kategorike cilësinë e jetës, pacientët gjatë gjithë kohës duhet të jenë të përgatitur duke pasur injeksionin e adrenalinës me vete kudo që shkon,” shton ajo.

Shpesh vihet re edhe një tendencë familjare e alergjive. Kështu, fëmijët me prindër alergjikë ka më shumë mundësi të vuajnë nga alergjia.
Sipas ekspertëve të huaj, rritja e numrit të personave alergjikë nuk vjen thjesht nga fakti se ne po ndërgjegjësohemi gjithnjë e më shumë për ta apo për diagnostifikimin e tyre. Mendohet se alergjitë dhe ndjeshmëria në rritje ndaj ushqimeve janë mjedisore dhe lidhen me stilin e jetës në vendet perëndimore.
Statistikat botërore tregojnë se kohët e fundit është rritur shumë numri i personave që kanë alergji nga ushqimet. Në Britaninë e Madhe rreth 7% e fëmijëve janë të prekur nga kjo lloj alergjie, në Australi 9% e popullsisë është e prekur, ndërsa në Evropë numri i personave alergjikë është më i pakët (2%). Fatmirësisht njerëzit kudo në botë i dinë rreziqet e kësaj sëmundjeje dhe janë më të kujdesshëm, ndërkohë që edhe studiuesit në mbarë botën, po punojnë shumë për të gjetur mënyrat që luftojnë këtë fenomen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë