Njerez

Kur kirurg Frederik Shiroka shkëlqente me skuadrën e "Juventusit’’

Nga Mendrit Shehu- Një ditë më parë u përurua spitali i ri kirurgjikal “Frederik Shiroka” në QSUT. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inauguruan spitalin e ri të kirurgjisë, i cili është ringritur në godinën e vjetër në QSUT. Ky spital mban emrin e Frederik Shirokës, themeluesit të bisturisë shqiptare. Por kush Frederik Shiroka, kirurgu që refuzoi Europën për të ngritur mjekësinë në Shqipëri? Lindi më 27 shtator 1907 në Shkodër, në një familje të njohur për tradita patriotike. Studioi në Austri, në Graz, në Fakultetin e Mjekësisë, dhe si shumë mjekë të asaj kohe, nuk pranoi katedrat në universitetet e Europës, madje dhe të SHBA-së, por erdhi e punoi në Shqipëri. Përveç se në fushën e mjekësisë, Shiroka ishte i talentuar edhe fusha të tjera si në teatër, i aftë në përdorimin e veglave muzikore, fliste shumë gjuhë të huaja, i suksesshme edhe në sport. Bën pjesë në atë brez lojtarësh, që  kanë themeluar futbollin në Shqipëri.

E filloi jetën sportive në ato rrugica të ngushta karakteristike të Shkodrës, ku fillimisht u aktivizua me ekipin e futbollit të shkollës së Jezuitëve dhe më vonë me shoqërinë "Juventus" në vitin 1923, shoqëri e cila përbëhej nga të rinj të besimit katolikë, ku ndër lojtarët më të spikatur ishin: Pac Kovaci, Federik Shiroka, Lec Ndreka, Zef Kiri, Gac Gurashi. Kjo skuadër, ka zhvilluar edhe ndeshje miqësore ndërkombëtare, ku përmenden takimet me skuadrat malazeze si “Crnagoraci” dhe “Buducnosti”, që ishin skuadrat më të forta të kohës.  

Një foto krejt e rrallë për fillimet e futbollit në Shqipëri. Janë 2 skuadra te Shkodrës në fushën e futbollit para gjimnazit te Shkodrës. Ne ekipin me fanella bardhezi është rreshtuar edhe Dr. Frederik Shiroka.

Nuk kaloi asnjë vit dhe ai së bashku me Anton Mazrekun, Paç Koliqin kalojnë në shoqërinë “Studente Shkodra”, e përbërë nga anëtarë me besime të ndryshme fetare. Nuk do të ishte i vetëm, sepse në këtë shoqëri do të kalonin edhe Bahri Kopliku, emri i të cilit më vonë do të afirmohet si mjek i madh dhe humanitar, Nikollë Verbicka, Agostin Hila, Rifat Rroji, Muhamet Halili, Shefqet Keçiçi, Dr.Xhevdet Luloci, Mahmut Xhyherei etj.  Pjesa dërmuese e anëtareve të kësaj shoqërie ishin studentë, të cilët ndiqnin shkollën në vendin tonë dhe jashtë atdheut, por në përbërje kishte edhe punëtorë. Kjo shoqëri ka qenë një nga skuadrat e para të futbollit shqiptar dhe konsiderohej si më e forta e asaj kohe. Aktiviteti i kësaj skuadre ka qenë i madh, pasi ka zhvilluar shumë ndeshje lokale, kombëtare e ndërkombëtare, ku më kryesoret janë ato  me shoqërinë “Juventus”, me “Djelmnia Shkodrane”, me “Sport Klub Tirana” dhe me “Ballshiqin” e Malit të Zi. Karriera sportive nuk zgjati shumë, pasi vendosi ti përkushtohej zhvillimit të kirurgjisë shqiptare, duke përgatitur breza të nderuar kirurgësh. Ndërroi jetë në vitin 1955, duke lënë pas një pasuri të madhe shkencore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë