Drejtuesit e Bajernit po marrin kohë për zgjedhjen e trajnerit të ri dhe mediet më të mëdha sportive në Gjermani dhe jo vetëm, po shkruajnë vazhdimisht për kandidatët e mundshëm të stolit bavarez. Pas lamtumirës së Niko Kovaç, emri i parë që doli në skenë ishte ai i Zhoze Mourinjos, më pas Arsen Venger, madje për francezin u tha se ishte gati e kryer, pastaj u përmend edhe Masimiliano Alegri. Megjithatë, ekipin vazhdon ta drejtojë zëvendëstrajneri Flik dhe Bajerni po merr rezultate të mira.
“France Football” zbulon se kupola drejtuese e Bajernin të Mynihut ka në plane ish-mesfushorin Ksabi Alonso. Spanjolli mund të kthehet te Bajerni në rolin e trajnerit. Ai drejton aktualisht ekipin e dytë të Real Sociedadit dhe është gati për një impenjim shumë më serioz dhe shumë më të rëndësishëm, siç do të ishte drejtimi i kampionëve të Gjermanisë. Ksabi Alonso e njeh shumë mirë ambientin dhe mund ta çojë drejt suksesit ekipin bavarez, pas dështimit me Kovaç.
Ish-futbollisti i Spanjës dhe disa klubeve të mëdha në botë si Real Madrid dhe Liverpul, ka qenë për 3 sezone pjesë e Bajernit. Në fakt, pak kohë më parë emri i Ksabi Alonsos është lakuar edhe si zëvendësues i mundshëm i Zinedine Zidane te madrilenët. Mbetet për t’u parë zgjedhja e Ksabi Alonsos, i cili është gati për hapin e madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.