Futboll

Kupa/ Tirana ‘hipotekon’ finalen, Vllaznia i shpëton humbjes në shtesë

Gazeta Si – Tirana mund të quhet finalistja e parë e Kupës së Shqipërisë, edhe pse është për t’u luajtur edhe ndeshja e kthimit me Teutën. Me fitoren e sotme 3-0 kryeqytetasit e bëjnë thuajse formale sfidën e kthimit.

Florent Hasani në pjesën e parë dhe Bruno Lulaj e Regi Lushkja në të dytën firmosën golat e fitores bindëse të Tiranës. Skuadra e trajnerit Orges Shehi po shkon drejt suksesit të dyfishtë këtë sezon. Përveç titullit, ku është favorite ndaj Partizanit, ka shansin edhe për Kupën e Shqipërisë, ku finalja duket e sigurt.

Teuta në anën tjetër tregoi se jo më kot qëndron në katet e poshtme të renditjes në Superiore. Durrsakët e patën të vështirë të përballonin forcën e Tiranës.

Egnatia feston golin e shenuar ne Shkoder. Gazeta Si, 26 prill 2023

Vazhdon të vuajë Vllaznia. Shkodranët i shpëtuan sot humbjes së dytë radhazi në ‘Loro Boriçi’ me një gol të shënuar në minutën e 6-të shtesë. Deri në atë kohë Egnatia po kryesonte 0-1, falë golit të Duamenës. Sulmuesi i momentit neë Superiore realizoi pas një kundërsulmi të shpejtë, ndërkohë që pjesën e parë kishte goditur traversën.

Ardit Hoxhaj, i futur në fushë nga stoli, shënoi golin e barazimit për Vllazninë. Kualifikimi mbetet plotësisht i hapur për ndeshjen e kthimit, por kjo Vllazni nuk jep shumë shpresë, ndërsa rrogozhinasit janë pranë një arritjeje historike, kalimit në finale të Kupës së Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë