Futboll

Kupa mbarëkombëtare “Nënë Tereza, 100 mijë euro

Kupa mbarëkombëtare “Nënë Tereza” fillon të marrë formë. Shqipëria dhe Kosova do të zhvillojnë një kupë të përbashkët, me një emër domethënës. Nuk është thjesht një dëshirë e gjithë shqiptarëve, por një projekt konkret që ka nisur të hedhë hapat e parë tashmë. Në këtë kupë do të marrin pjesë ekipet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Pare dhe Kategorisë së Dyte nga të dyja vendet. Gjatë këtij sezoni pritet të marrin pjesë 56 ekipe nga Shqipëria, ndërsa nga Kosova 44 ekipe. Struktura e këtij kompeticioni pritet të jetë e tillë, ku  22 ekipet e Kategorive Superiore nga të dyja vendet do të kalojnë direkt në fazën 1/32, ndërsa ekipet e mbetura do të luajnë mes tyre me sistem vajtje-ardhje, duke nxjerrë në fund 10 ekipet që do t’u bashkohen skuadrave të tjera.

Për të garantuar mbarëvajtjen, drejtuesit e dy federatave kanë përcaktuar çdo detaj. Për organizimin e këtij kompeticioni, priten të shpenzohen 1.5 milion euro, shifër që pritet të sigurohet nga shtetet përkatëse për një afat 5 vjeçar. 734.000 euro pritet t’i shpërndahen klubeve për ndeshjet që do të luajnë, ku përfshihet akomodimi, transporti dhe çdo shpenzim tjetër i nevojshëm. Për secilën ndeshje të fazës eliminatore janë parashikuar 3500 euro për skuadër dhe 4000 për fazën finale. 32 ekipet që do luajnë në fazën finale do të shpërblehen nga 5000 euro vetëm për pjesëmarrjen. Ekipi fitues, duke kaluar të gjitha fazat, pritet të përfitojë në total një shumë prej 150,000 euro.

Faza e parë pritet të zhvillohet në muajt mars-qershor 2020, kurse faza e dytë do vijojë nga muaji shtator e në vijim, periudhë që përkon me ndeshjet e kombëtares. Mbetet ende për t'u përcaktuar nëse finalja do të luhet në Tiranë apo Prishtinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë