Futboll

Kupa e Shqipërisë njeh sot dy skuadrat finaliste, Tirana favorite

Gazeta Si – Luhen sot dy ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Egnatia-Vllaznia (1-1) dhe Teuta-Tirana (0-3). Tirana është e favorizuar për të qenë në finale, pasi e ka fituar 3-0 ndeshjen e parë ndaj durrsakëve.

Vetëm pak ditë më parë Teuta dhe Tirana u ndeshën në kampionat në ‘Niko Dovona’, ku skuadra e Martinit fitoi 2-1, por sot ndryshon historia. Kryeqytetasve u mjafton të administrojnë fitoren e thellë të ndeshjes së parë, pa shpenzuar shumë energji, aq më tepër që përpara kanë derbin me Partizanin, vendimtar për titullin.

Teuta shpreson për përmbysjen e madhe, por 3 gola ndaj një kundërshtari si Tirana është e vështirë të shënohen.

Nga ndeshja e parë mes Egnatias dhe Vllaznisë. Gazeta Si, 10 maj 2023

Egnatia-Vllaznia është një ndeshje më e balancuar. Vllaznia, që ka mbi vete gjithë presionin, barazoi në fund të ndeshjes së parë, duke mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. Egnatia i ka mundur më pas shkodranët në kampionat dhe sot ka mundësi të mëdha për të shkruar historinë me kalimin në finale të Kupës.

Për Vllazninë është një ndeshje jetike, që vjen në një moment mjaft delikat, pas disa rezultatesh zhgënjyese. Nëse eliminohet nga Kupa, Vllaznia rrezikon shumë të mbetet edhe jashtë Europës.

Gjysmëfinalet, ndeshjet e kthimit
Sot, ora 15:00
Egnatia-Vllaznia
Ora 17:00
Teuta-Tirana


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë