Futboll

Kupa e Shqipërisë luan sot aktin e parë gjysmëfinal, presioni mbi Vllazninë

Gazeta Si – Kampionati ia lë sot radhën Kupës së Shqipërisë, që ka mbërritur në fazën gjysmëfinale të saj. Në fushë zbresin sot katër skuadra, që synojnë t’i shkojnë deri në fund kompeticionit, të fitojnë trofeun dhe të sigurojnë një vend në Europë me anë të rrugës më të shkurtër.

Çiftet Vllaznia-Egnatia dhe Tirana-Teuta luajnë sot, në orën 18:00, aktin e parë gjysmëfinal. Presioni është më i madh mbi Vllazninë, që pavarësisht investimeve të shumta që ka bërë, nuk ka bindur aspak në kampionat. Shkodranëve u duhet patjetër të shkojnë në kupat e Europës dhe këtë mund të bëjnë më lehtë nëpërmjet Kupës.

Foto ilustruese. Trofeu i Kupës së Shqipërisë. Gazeta Si, 26 prill 2023

Egnatia është surpriza e sezonit, rivale e Vllaznisë në kampionat dhe tashmë edhe në gjysmëfinale të Kupës. Rrogozhinasit kanë një skuadër simpatike dhe mund ta përmirësojnë ‘rekordin’ e tyre, nëse shkojnë në finale.

Në gjysmëfinalen tjetër përplasen Tirana me Teutën, ku kryeqytetasit janë favoritë, por ata mund të lëshojnë pak në Kupë, duke qenë se objektiv parësor kanë titullin kampion dhe deri tani janë në rrugë të mbarë. Durrsakët, të cilët luftojnë për mbijetesë në Superiore, mund ta shpëtojnë sezonin, nëse fitojnë Kupën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë