Njerez

Ndryshe nga Haradinaj, Ardern refuzon rritjen e rrogës

Ditët kur shoqëria civile dhe qytetarët në Kosovë protestuan në shenjë simbolike kundër vendimit të Qeverisë së Ramush Haradinajt për rritjen e rrogave të tyre nuk janë të largëta. Kryeministri argumentoi vendimin që i rriste vetes rrogën me 100 për qind me “integritetin profesional”, ndërsa mes rreshtave la të kuptohej se shuma para rritjes nuk mjaftonte as për kollare e këmisha.

Menjëherë pas kësaj deklarate, qytetarët varën në kangjellat rrethuese të godinës qeveritare këmisha e kollare, në një shenjë ironie ndaj justifikimit të dhënë nga Kryeministri.

Në anën tjetër të globit mbërrin një shembull krejtësisht i kundërt. Kryeministrja e Zelandës së Re refuzoi rekomandimin e dhënë nga autoritetet vendase që i rriste asaj, kabinetit që ajo drejton dhe deputetëve pagat me 3 për qind.

“Edhe kaq sa paguhemi janë shumë. Rrogat janë të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë që të ngrihen më tej”, deklaroi kryeministrja neozelandeze, Jacinda Ardern.

Aktualisht, Ardern përfiton 417 mijë dollarë në vit nga rroga e saj dhe nëse do të kishte firmosur rritjen, kësaj shume do t’i shtoheshin edhe 12 mijë dollarë të tjerë.

Në Zelandën e Re është Autoriteti i Pagesave që rekomandon lëvizjen e pagave të punonjësve të administratës përmes një formule, që ndikohet nga disa faktorë, mes të cilëve edhe inflacioni. Pikërisht kjo formulë e këtij autoriteti është vënë në shënjestër të Kryeministres Ardern.

“Ne, si politikanë bëjmë pjesë tek profesionet me rrogën më të lartë në vend dhe nuk është nevoja që t’i rrisim më tej rrogat tona. U bë e disata herë që shohim rritje të pagave të larta, ndërsa pagat e ulta qëndrojnë në vend”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë