Futboll

Kumbulla në histori, rekord ndërkombëtar me golin ndaj Sampdorias

Marash Kumbulla kishte rënë në sy që në fillim të kampionatit me aktivizimin si titullar te Verona, edhe pse është vetëm 19 vjeç, por goli i shënuar ndaj Sampdorias të shtunën e kaluar e ka vënë atë në qendër të vëmendjes. Shtypi italian e ka ngritur në qiell. Nuk ishte një gol i zakonshëm. Ishte një gol që e fut në histori mbrojtësin kuqezi, tashmë me një rekord ndërkombëtar. Shkodrani është i pari mbrojtës i lindur në 2000-shin që shënon në nivelin më të lartë të futbollit italian dhe gjithashtu në 5 kampionatet më të fortë të Europës, atë italian, spanjoll, anglez, gjerman dhe francez.

“La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull të plotë Kumbullës, rritjes së tij si futbollist dhe golit rekord. Ja çfarë shkruan gazeta prestigjioze italiane për 19-vjeçarin e Kombëtares shqiptare:

Artikulli i "Gazzetta dello Sport" për Marsah Kumbullën. Gazeta Si, 8 tetor 2019

Një mur i lartë dhe i fortë përpara portës së Marko Silvestrit. Është ai i mbrojtjes së Veronës, e dyta më e mirë në Serinë A, pas asaj të Interit të Kontes, edhe pse emrat nuk janë nga më të njohurit. Rrahmani, Gunter dhe Kumbulla është treshja e prapavijës së Veronës, që në 7 ndeshje ka pësuar vetëm 5 gola. Mes ekspertit Gunter dhe zbulimit Rrahmani, spikat shqiptari Marash Kumbulla, i cili me golin e së shtunës ndaj Sampdorias ka vendosur një rekord historik: ai është mbrojtësi i parë i lindur në vitin 2000 që shënon në Serinë A.

I lindur në Peskiera del Garda, më 8 shkurt 2000, Kumbulla është rritur tek ekipet e moshave të Veronës, ku ka hyrë që 8 vjeç. Që në moshën 16-vjeçare stërvitej me të rinjtë dhe pak muaj më pas ishte element stabël i këtij ekipi. Në Angli, ata si Kumbulla quhen “local hero”. Ka lindur në Itali nga prindër shqiptarë, ka dy pasaporta, është një veronez i adoptuar. Vitin e kaluar u grumbullua vetëm për një ndeshje me ekipin e parë të Veronës në Serinë B, kurse këtë sezon ka vendosur rekord në Serinë A. Edhe trajneri Reja e ka grumbulluar me Shqipërinë për kualifikueset e Euro 2020, por ende nuk ia ka dhënë mundësinë e debutimit.

Kumbulla feston golin ndaj Sampdorias. Gazeta Si, 8 tetor 2019

Me trajnerin Ivan Juriç, Kumbulla ka luajtur 5 ndeshje nga 7 që janë zhvilluar, ku impakti me nivelin më të lartë të futbollit italian nuk ka shkuar edhe aq mirë. Dy kartonë të verdhë në 4 javët e para dhe pastaj i kuqi në barazimin 0-0 me Udinezen. Kartonët e shumtë janë një problem për Veronën, në fakt, që pas Milanit, është skuadra e dytë më e ndëshkuar, me 12 kartonë të verdhë. Sigurisht, Kumbulla ka paguar mungesën e përvojës. Goli ndaj Sampdorias e ka futur në histori mbrojtësin shqiptar, me atë rekord ndërkombëtar. Ai është mbrojtësi i parë i datëlindjes 2000 që ka shënuar gol në 5 kampionatet më të fortë të Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë