Futboll

Kumbulla me ekip të ri në verë, Fiorentina e para në radhë

Është normale që interesi për mbrojtësin kuqezi, Marash Kumbulla, të jetë në rritje. Paraqitja e tij e mirë me Veronën në Serinë A në një moshë shumë të re, ka bërë që drejtuesit e klubeve të mëdha në Itali të nisin që tani punën për të siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit 19-vjeçar.

Shtypi italian shkruan se Kumbulla është që tani një objektiv i klubeve “big” të Serisë. I pari klub që ka dalë hapur për blerjen e mbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë, është Fiorentina. Kontaktet kanë nisur dhe me shumë mundësi shkodrani do të bllokohet që në janar nga drejtuesit e Fiorentinës, për të kaluar pastaj në verë te skuadra vjollcë. Do të ishte një hap i madh për futbollistin e ri shqiptar, nëse kalon në Firence, por ka edhe klube të tjerë që po punojnë pa zhurmë për një akord të mundshëm me Veronën. Lacio, si gjithmonë, është një tjetër klub i interesuar, pasi Igli Tare gjithmonë u ka krijuar mundësi shqiptarëve. Me kalimin e kohës pritet të mësohet më shumë për ofertat konkrete. Fiorentina ka zënë radhën e para.

Marash Kumbulla gjatë një ndeshje me Veronën. Gazeta Si, 17 tetor 2019

Marash Kumbulla shënoi golin e parë në Serinë A në fitoren 2-0 ndaj Sampdorias. Trajneri i Veronës, Juriç, i ka besuar atij një fanellë titullari që në fillim të sezonit, pavarësisht moshës shumë të re. Dhe mbrojtësi e ka shfrytëzuar shansin, duke u sjellë në fushë si një lojtar me shumë përvojë. Paraqitja e tij bëri që trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ta grumbullonte dhe t’i jepte mundësinë e debutimit me fanellën kuqezi në Moldavi. Kalimi në një klub më të madh se Verona do ta bënte Kumbullën një lojtar edhe më të rëndësishëm për Kombëtaren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë