Marash Kumbulla dëmtohet në momentin më të mirë. Mbrojtësi 19-vjeçar i Veronës la fushën e lojës në ndeshjen me Breshian pas 16 minutash, pasi ndjeu dhimbje në kofshë. Shtypi italian bën me dije se bëhet djalë për një tërheqje dhe rikuperimi kërkon deri në 6 javë kohë. Një periudhë e gjatë, që përveç disa ndeshjesh në kampionatin italian, e bën Kumbullën të humbë edhe dy ndeshjet e Kombëtares me Andorrën dhe Francën, që luhen më 14 dhe 17 nëntor.
Futbollisti shkodran i Kombëtares ka luajtur titullar në të gjitha ndeshjet e Veronës në Serinë A, ku ka shënuar një gol dhe ka bërë një paraqitje shumë të mirë. Kjo ka bërë që të tërheqë vëmendjen e disa klubeve të mëdha, mes tyre të Napolit dhe Juventusit. Dëmtimi në momentin më të mirë i prish punë 19-vjeçarit që debutoi me Kombëtaren në ndeshjen me Moldavinë.
Një formë mjaft të mirë po kalon në Itali edhe portieri Tomas Strakosha, i cili ishte në lartësinë e duhur në fitoren 1-2 të Lacios ndaj Milanit. Shtypi italian e ka vlerësuar paraqitjen e portierit kuqezi, duke theksuar se u përgjigj si duhet se herë që u thirr në apel. Strakosha pësoi një gol në ndeshjen ndaj Milanit, por ishte pa fat, pasi topi u devijua nga një mbrojtës i Lacios. Portieri kuqezi reagoi mjaft mirë në disa raste të rrezikshme të Milanit dhe luajti një rol të rëndësishëm në fitoren e Lacios.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.