Rend dhe Ligj

Kultivuan kanabis në repartin ushtarak të Zall Herrit, arrestohen 3 efektivë. Peleshi pezullon të gjithë personat përgjegjës

Gazeta Si - Tre efektivë ushtarakë në Zall Herr, janë arrestuar nga nga Policia e Tiranës me akuzën për kultivim kanabisi në territorin e repartit.

Policia informon se në fshatin Zall Herr, gjatë kontrollit në territorin e një reparti ushtarak, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 125 bimë kanabis.

“Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie”, njoftoi policia.

Ndërkohë janë proceduar penalisht 4 ushtarakë të tjerë. “Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture; P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge; I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier; P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti”, njoftoi policia.

Sipas uniformave blu, këta persona, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak. Policia ka asgjesuar atje 125 rrënjë kanabis.

Peleshi: Pezullohen nga detyra të gjithë personat përgjegjës

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka reaguar pas lajmit se u arrestuan 3 ushtarakë në Zall Herr pasi kishin kultivuar kanabis në repart.

Peleshi njofton se operacioni është kryer pas bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe asaj Ushtarake. Ushtarët e kishin kultivuar drogën në një zonë të pyllëzuar, brenda zonës ushtarake të Zall Herrit. Peleshi bëri me dije se janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës.

“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit.

Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës. Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast”, thotë Peleshi.

Në operacionin në Zall Herr janë proceduar edhe 4 ushtarë të tjerë. Sipas policisë me veprimet dhe mosveprimet e tyre ata kanë lejuar kultivimin e kanabisit.

Operacion në të gjithë vendin

Policia thotë se këto arrestime vijnë si pasojë e megaoperacionit të koduar “Fokusi” që është shtrirë në të gjithë vendin. Si rezultat i këtij aksioni, gjatë së premtes janë goditur edhe dy raste të tjera të kultivimit të kanabisit.

Në Fier janë arrestuar 3 vëllezër Luan, Astrit dhe Arben Kocaqi, ndërsa janë proceduar penalisht babai i tyre dhe djali i njërit prej tyre. Pas banesave ata kishin kultivuar 300 bimë kanabis.

“Përveç asgjësimit të bimëve narkotike, Policia e Fierit sekuestroi 1 armë gjahu, 2300 euro dhe rreth 500 000 lekë të rinj që këta shtetas i kishin përfituar nga shitja e drogës”, njoftoi policia.

Ndërsa në Selenicë u arrestua 29-vjeçari Lorenc Kapaj.

“Gjatë kontrollit të territorit të banesës së tij, Policia gjeti e sekuestroi 80 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies”, njoftuan uniformat blu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë