Futboll

Kulibali i pakënaqur te Çelsi, Juventusi tenton goditjen ‘low cost’

Gazeta Si – Ka pasur një telefonatë të trajnerit Alegri për ish-mbrojtësin e Napolit me qëllimin për të kuptuar situatën dhe përgatitur terrenin. Me një huazim ‘alla Lukaku’ kjo lëvizje mund të realizohet në verë.

U bënë 5 vjet nga dita, kur Kalidu Kulibali heshti ‘Allianz Stadium’ me një gol në minutën e 90—të. Titullin atë vit e fitoi Juventusi i Masimiliano Alegrit, por atë gol askush nuk e ka harruar. Ndoshta nga ai moment Juventusi dhe trajneri Alegri e vunë në shënjestër mbrojtësin afrikan.

Kulibali duke i shenuar Juventusit. Gazeta Si, 23 prill 2023

Jo rastësisht kërkesa e parë për të forcuar mbrojtjen në verë është pikërisht senegalezi që luan për Çelsin. Aventura me klubin londinez nuk ka shkuar siç e parashikonte, Kulibali është i pakënaqur atje, ndërsa emri i tij është kthyer në axhendën e klubit bardhezi.

Për momentin është një hipotezë, por që shumë shpejt mund të bëhet diçka më shumë. Duket se lojtari ia ka hapur rrugën Juventusit, ndryshe nga momenti kur la Napolin për të shkuar në Premier Ligë. "Një fanellë që nuk mund ta vishja për shkak të besimit dhe respektit”, - tha Kulibali në atë kohë, duke iu referuar fanellës bardhezi.

Një deklaratë e fortë, por që në botën e futbollit dëgjohen shpesh. Alegri e do me çdo kusht senegalezin dhe kërkon të shfrytëzojë faktin që ai nuk është i lumtur në Londër. Mbrojtësi u ble nga Napoli për 38 milionë euro, plus bonuset, por vlera e tij ka rënë. Çelsi madje mund ta kenë në listën e të larguarve në verë, kështu që Juventusi mund të përfitojë.

Ideja është për të ndjekur një formulë si ajo e Lukakut tek Interi, një huazim për një shifër ta pranueshme dhe pa detyrimin e riblerjes. Ashtu si sulmuesi belg, edhe mbrojtësi afrikan në këtë rast duhet të pranojë uljen e pagës. Te Çelsi merr aktualisht rreth 10 milionë euro, te Juventusi duhet të kënaqet me 7.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë