Biznes

Kukësi vë taksë mjedisore për HEC-et e vegjël, bizneset e padisin në gjykatë

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme “AREA”, e krijuar nga prodhuesit e energjisë së rinovueshme që operojnë në Shqipëri nëpërmjet koncesioneve për projektimin, ndërtimin, prodhimin dhe shitjen e energjisë elektrike nga impiante që përdorin burimet e rinovueshme, ka bërë padi në Gjykatën e Kukësit për një taksë mjedisorë që Bashkia e këtij qyteti u ka vënë hidrocentraleve të vegjël që operojnë në këtë territor.

Shoqata e konsideron të padrejtë, antiligjor vendimin e pakonsultuar me grupet e interesit.

“Së pari, përfaqësues të AREA-s e ngritën shqetësimin e tyre kundër vendosjes dhe aplikimit të kësaj tarife në mbledhjen e zhvilluar nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve në datën 27 shkurt 2020”, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Bashkisë Kukës. Shoqatës AREA-s në këtë mbledhje ju premtua zhvillimi i një takimi nga përfaqësues të Bashkisë Kukës pranë zyrave të kësaj të fundit me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët dhe të kënaqshme për të dyja palët në lidhje me cështjen në fjalë, por ky takim nuk u zhvillua nga ana e Bashkisë. Së dyti, Shoqata AREA, herëpasherë i është drejtuar me shkresa zyrtare Bashkisë së Kukësit me qëllim sqarimin e të gjitha pikëpyetjeve të ngritura në lidhje me këtë tarifë, bashkëpunimin dhe solidaritetin e saj, kundërshtimin dhe pezullimin e vendimit deri në sqarimin bashkërisht të kësaj problematike, duke u nisur edhe nga gjendja e fatkeqësisë natyrore të vendosur në vend nga Qeveria Shqiptare për shkak të pranisë së Covid-19”, thotë shoqata.

"AREA" shprehet se "Bashkia e Kukësit ka shfrytëzuar këtë situatë (si rezultat i ngrirjes edhe institucionale në vend), dhe ka vazhduar zbatimin e vendimit, duke vendosur barrë siguruese ndaj pasurive të taksapaguesve (HEC-e) si dhe bllokimin e aktivitetit të subjekteve ekonomik, për dy nga kompanitë prodhuese".

Ajo e cilëson vendimin në kundërshtim flagrant me një sërë dispozitash të Kodit të Procedurave Administrative, por edhe pengesë në zhvillimin dhe ecurinë e këtyre veprave në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë