Partizanit nuk i ka bërë punë ndryshimi në stol, ose më saktë largimi i Franko Lerdës, pasi ende nuk ka një trajner të ri zyrtarisht. Të kuqtë janë mundur 1-0 në Durrës. Trajneri Edi Martini ka debatuar me fitore te Teuta, që ka marrë 3 pikët falë golit të Sherif Kallakut në fundin e pjesës së parë.
Partizani pëson kështu humbjen e tretë radhazi dhe në stadiumin “Niko Dovana” është shfaqur shumë nervoz, sidomos në pjesën e dytë. Në mesin e kësaj pjese, pas një përplasje mes Beqjas dhe brazilianit Kordeiro, të dy janë ndëshkuar me karton të kuq. Më pas lojtarët e dy skuadrave janë përfshirë në një zënkë masive dhe me të kuq janë ndëshkuar edhe Boldor i Partizanit e Duka i Teutës, të dy nga stoli. I kuq edhe për mbrojtësin Shkalla në fundin e ndeshjes dhe Teuta e mbyll ndeshjen me 9 lojtarë, por arrin të fitojë dhe t’i afrohet kreut.

Kjo humbje e të kuqve është shfrytëzuar në mënyrën më të mirë nga Kukësi, që me fitoren 1-2 në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë, shkon në kuotën e 30 pikëve, 5 më shumë se Partizani dhe 3 më shumë se Bylisi. Golat për skuadrën e trajnerit Shpëtim Duro janë shënuar nga Eduard Rroca dhe Vasil Shkurtaj, ndërsa për Vllazninë shkurtoi diferencën Ardit Krymi. Kukësi konfirmon formën e mirë që po kalon dhe me shumë gjasa do të jetë ai kampioni i dimrit.
Laçi është ndalur na Ballsh pas një ecurie pozitive. Mbrojtësi Jurgen Goxha shënoi golin e fitores 10 minuta para fundit për Bylisin, që tani e sheh veten në vend të dytë. Një tjetër humbje për Skënderbeun, e treta radhazi, që i mban korçarët në ujëra të turbullta. Ka diçka që nuk shkon te Skënderbeu dhe disfata 2-0 në Gjirokastër e vërteton këtë gjë. Java e 16-të mbyllet me Tirana-Flamurtari, që starton në orën 16:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.