Futboll

Kukësi shpërfytyron Tiranën për 15 minuta, bardheblutë në krizë para derbit

Tirana shkon në derbi edhe më e “plagosur” se Partizani. Bardheblutë, ashtu si të kuqtë, janë mundur sot, por ekipi i Ahmatajt është në krizë të thellë rezultati. Tirana ka pësuar humbjen e dytë radhazi, 1-3, dhe mbetet po 6 pikë larg vendit të parë, por ajo që shqetëson është mënyra si bardheblutë pësojnë gola. Mbrojtja e tyre është krejtësisht e çoroditur, edhe pse ndaj Kukësit ndikuan mungesat e Osmanit dhe Karabecit, por edhe Kobinës gjatë ndeshjes.

Edon Hasani shënoi për Tiranën në pjesën e parë dhe u duk se gjithçka do të shkonte mirë për ekipin vendës, por nga minuta e 65-të në të 80-ën Kukësi realizoi tri herë. Shkurtaj me penallti dhe më pas Gavazaj e Abazaj i dhanë tri “shpulla” të forta Tiranës, duke treguar se Kukësi është ekipi që do të sfidojë Partizanin në garën e titullit kampion. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro është afruar tashmë 1 pikë pas të kuqve, duke e shtuar presionin mbi ta. Kjo fitore ishte një provë force për Kukësin, që përmbysi situatën në pjesën e dytë.

Lika pëson golin e tretë nga Kukësi. Gazeta Si, 7 dhjetor 2019

Për Tiranën situata komplikohet jo pak. Duket qartë që ky ekip vuan në çdo drejtim, madje edhe kur është në avantazh nuk di të sillet si një pretendent dhe “hedh në erë” gjithçka brenda pak minutash. Përtej mungesave që Tirana kishte ndaj Kukësit, duhet thënë se kualiteti i saj, sidomos në mbrojtje, jep pak shpresë jo vetëm për titullin, por edhe për Kupat e Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë