Futboll

Kukësi ngjesh kreun, Flamurtari në krizë identiteti

Stadiumi “Roza Haxhiu” i Lushnjës i sjell fat Kukësit, që pas Luftëtarit dy javë më parë, ka mundur edhe Flamurtarin 1-0. Në këtë stadium skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ka marrë 6 pikë dhe duke llogaritur edhe barazimin me Partizanin në transfertë, është rikthyer në “korsinë” e parë të pretendentëve për titullin kampion. Kukësi ka tashmë 18 pikë, aq sa Tirana dhe Partizani, pa llogaritur ndeshjen që të kuqtë po luajnë me Luftëtarin.

Ndeshja me Flamurtarin është vendosur nga goli i sulmuesit kosovar Mirlind Daku, pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë. Kuksianët goditën edhe traversën në këtë ndeshje, ku vinin me disa mungesa të rëndësishme, ku veçohet ajo e sulmuesit kryesor Vasil Shkurtaj, por e arritën qëllimin për të marrë tri pikët. Kujtojmë që Kukësi i luan ndeshjet si pritës të këtij kampionati në stadiume të ndryshme, pasi në “Zeqir Ymeri” vazhdojnë punimet për restaurimin e plotë të tij.

Flamurtari, në krahun tjetër, javë pas jave po thellon hendekun me rivalët e mbijetesës dhe rënia një kategori më poshtë i mbetet vetëm matematikës. Skuadrën vlonjate nuk pranon asnjë trajner ta drejtojë, duke parë situatën kritike të saj që para se niste ky sezon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë