Futboll

Kukësi drejt shitjes, disa aksionerë në negociata për blerjen nga familja Gjici

Gazeta Si – Klubi i Kukësit ndodhet në një moment shumë delikat, pas skandalit të pak kohëve më parë me presidentin e tij, Safet Gjicin. Familja e ish-kryebashkiakut të Kukësit zotëron 87% të aksioneve dhe dëshira është për t’i mbajtur, por në kushtet aktuale duket shumë e vështirë.

Ka një interesim nga disa biznesmenë në vend, kryesisht me origjinë nga qyteti i Kukësit, për të blerë ekipin verior. Për momentin është zbuluar vetëm emri i kompanisë së prodhimit të miellit ‘Atlas’, por janë edhe disa kompani të tjera që po negociojnë.

Stadiumi i Kukesit. Gazeta Si, 29 korrik 2023

Me shumë mundësi, edhe Kukësi, ashtu si Dinamo vetëm pak ditë më parë, do të ketë aksionerë të rinj, që do ta shpëtonin ekipin e Superiores nga kriza. Gjatë kësaj jave lojtarët bojkotuan stërvitjen, sepse nuk janë paguar prej kohësh. Nga Kukësi ndërkohë janë larguar thuajse të gjithë lojtarët e sezonit të kaluar dhe gjithçka duhet bërë nga e para.

Një tjetër ekip i Superiores që kërkon aksionerë të rinj është Erzeni. Pak ditë më parë te ky ekip u prezantua biznesmeni Ali Kasa, i cili ndërroi mendje më pas dhe tashmë ka vendosur të investojë te Shkumbini i Peqinit, qyteti i origjinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë