Futboll

Kukësi dhe Tirana përplasin “brirët”, fituesi merr një bonus titulli

Skuadrat kryesuese të Superiores, Kukësi dhe Tirana, përplasin “brirët” sot pasdite në “Air Albania Stadium”, në shtëpinë e bardhebluve ku pritës janë verilindorët. Por tashmë Kukësi kryesues është mësuar me fushat asnjanëse dhe për ta mbajtur Tiranën prapa i duhet të paktën barazimi, ndërsa fitorja do ta thellonte diferencën e pikëve në 4 në favor të nënkampionëve.

Tirana, pas ndalesës së parë së erës “Egbo”, pretendon të bëjë parakalimin këtë javë dhe për këtë i duhet vetëm fitorja. Entuziazmi ra disi pas barazimit me Skënderbeun, ku presidenti Refik Halili kritikoi publikisht trajnerin Egbo për ndërrimet. Megjithatë, kryeqytetasit kanë një formë të mirë sportive dhe sot do të luajnë “kartat” e tyre për t’u ngjitur në vendin e parë dhe për ta marrë ata bonusin e titullit kampion në 100-vjetorin e krijimit të klubit.

Ngo dhe Musta në një dyluftim gjatë ndeshjeje Tirana-Kukësi, 1-3. Gazeta Si, 21 shkurt 2020

Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në “Air Albania”, ku të pranishëm do të jenë mbi 5000 tifozë, me ata bardheblu në mazhorancë. Trajnerët Shpëtim Duro dhe Emanuel Egbo nuk kanë mungesa të rëndësishme për këtë sfidë, që nuk është vendimtare, por ka një ndikim goxha të madh në garën e titullit. Partizani i vendit të tretë “lutet” që ndeshja të përfundojë në barazim për t’u afruar me kreun, nëse nesër mund Bylisin.

Java e 23-të e Superiores mbyllet të shtunën me ndeshjet Skënderbeu-Teuta, Flamurtari-Laçi dhe Vllaznia-Luftëtari. Kryeson Kukësi më 42 pikë, i ndjekur nga Tirana me 41. Për momentin të rënë nga Superiorja janë Flamurtari dhe Luftëtari, ndërsa Vllaznia duhet të luajë ndeshje shtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë