Politike

“Kukësi” dhe mesazhi që po vjen nga baza e PD: Pakënaqësi për figurat partiake

Kukësi, nga ku Partia Demokratike nisi fazën më të rëndësishme, atë të votimit të kandidaturave për deputet nga anëtarësia, ka prodhuar një rezultat surprizë për të djathtën, duke paracaktuar ndoshta një trend votimi që do të ndiqet edhe ne degët e tjera të saj.

Të shtunën në mbrëmje, PD-ja njoftoi se ishte mbyllur votimi në Kukës, me pjesëmarrje surprizë, rreth 70%. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha pas mbylljes së votimit se ndryshimi po vjen. Një deklaratë politike, por të paktën për strukturat e kësaj dege kishte shumë vend referimi.

Sepse ndryshe nga çdo herë tjetër, ata që kanë marrë votë kontestuese nga demokratët e Kukësit (që njihet edhe si bastion i PD-së) kanë qenë ish-kryebashkiakët e renditur në listë, konkretisht Bashkim Shehu ish-kryetar i Bashkisë së Kukësit, Besnik Dushaj ish-kryetar i bashkisë së Tropojës dhe Feride Rrahmani ish-zv.kryetare e bashkisë së Tropojës.

Ndërkohë, kanë kaluar pragun e kualifikimit kandidatët pa profil politik si psh; dy mjekët Admir Sinamati, Ibrahim Bruka apo pedagogu Lush Susa, për të kaluar te emri i ish-ambasadorit në Kosovë Arben Çejku, ish-deputetja Mimoza Hajdarmataj dhe ish-zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka.

Sipas udhëzimit të PD-së, çdo anëtar ka të drejtën të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një nga kandidatët e renditur në listë

Kandidati që ka më shumë se 20% “votë kontestuese” në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të partisë në degën apo qarkun, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar dhe përfshihet në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi. Kjo ka ndodhur edhe me kandidatët e qarkut Kukës, ku ish-kryebashkiakët demokratë nuk e kanë kaluar pragun e kualifikimit. Të shtunën është votimi për kandidatët e qarkut Dibër ndërsa të dielën votohet për kandidatët e qarkut Gjirokastër ku në listën e gjatë për degët Gjirokastër, Memaliaj, Këlcyrë dhe Tepelenë, përfshihet emri i urbanistit Besnik Aliaj, ish-deputetit demokrat Tritan Shehu dhe kryetarit të PD-së, Gjirokastër, Roland Bejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë