Ne rrjet

Kukan pa doreza: S’ka negociata për Shqipërinë në tetor! Mogherini e paaftë, Haradinaj kokëfortë

I çliruar nga kostumi burokrat i anëtarit të Parlamentit Europian dhe i Komisionit për Çështjet e Jashtme të këtij Parlamenti, sllovaku Eduard Kukan ka shmangur diplomacinë dhe ka folur drejtpërdrejtë duke shuar çdo mundësi që në tetor Shqipëria të marrë një datë për hapjen e negociatave.

Ish-komisioneri dhe raportuesi për Shqipërinë foli për “Shoqërinë Sllovake për Politikën e Jashtme”, një nismë civile e mbështetur financiarisht nga Qeveria sllovake. Në intervistën e gjatë, Kukan flet për dialogun Serbi-Kosovë, qorton Federica Mogherinin si të paaftë në ndërmjetësimin e këtij dialogu, cilëson Ramush Haradinajn si “politikan kokëfortë dhe të pakompromistë” dhe jep përshtypjet e tij mbi institucionet dhe drejtuesit e rinj të Bashkimit Europian që dolën pas zgjedhjeve të muajit maj.

Intervista

Në zgjedhjet e për Parlamentin Europian të muajit maj, partitë radikale morën më pak karrige nga sa parashikohej. Si i vlerësoni këto zgjedhje? A ishin një pikë kritike mbi të ardhmen e BE-së, apo ishin një lojë frike mes partive tradicionale?

Kishte një farë frike të partive tradicionale në mes, sepse rezultati të cilit të gjithë i trembeshin nuk ndodhi. Partitë jashtë sistemit nuk fituan shumë mbështetje, nuk janë të bashkuara dhe Partitë Popullore Europian dhe Socialistët kanë ende në dorë të vendosin për të ardhmen e Bashkimit Europian. Duhet thënë se i njëjti shqetësim ishte edhe në zgjedhjet pararendëse dhe edhe atëherë nuk u materializua. Nuk i konsideroj këto zgjedhje si pikë kthese për të ardhmen e BE. Sigurisht, ka më shumë eurodeputetetë skeptikë dhe ekstremistë, por ata janë larg shumicës për të vendosur për të ardhmen e BE.

Parlamenti i ri ka më shumë llojshmëri politike, po ashtu edhe Këshilli dhe Komisioni. Në një situatë të tillë, a është e mundur që të arrihet një marrëveshje për reformimin e Unionit, ashtu siç kërkon Presidenti Emmanuel Macron? A do të rishikohet traktatet themelore të BE-së në pesë vitet e ardhshme?

Është e vështirë për të gjetur një marrëveshje për një reformë kaq të thellë dhe kjo do të hapte rrugën që traktatet të ndryshojnë në forma joreale dhe të paparashikueshme. Emmanuel Macron është një “reformator romantik”. Ka ide të rafinuara që i shpreh shpesh, por pa patur pas fuqinë ekonomike të Gjermanisë, idetë e tij do të mbeten thjesht ide. Ndaj, unë mendoj se më shumë se hapat konkretë për reformim, në pesë vitet e ardhshme do të shohim debate mbi reformat.

Emmanuel Macron kërkon të fitojë mbështetje për vizionin e reformimit të BE-së edhe në grupin e katër vendeve të Vishegradit. A është vizioni i Macron në interesin e BE-së, apo është thjesht një përpjekje për të tërhequr partnerët politikë më afër partisë së tij të qendrës-progresiste?

Presidenti francez është në kërkim të aleatëve, megjithatë unë do ta cilësojë aktivitetin e tij politik si mjaft fleksibël. Kjo do të thotë edhe kur të gjejë partnerë më të favorshëm edhe brenda Francës, ai do të ndryshojë.

Pret një thellim të partneritetit Sllovaki-Francë, nisur nga afërsia mes dy Presidentëve?

Nuk mendoj kështu. Ky partneritet do të jetë një faktor, por nuk do të jetë një faktor i shëndoshë për të ndryshuar thelbësisht në nivelet e bashkëpunimit me Francën. Më shumë rëndësi për ne duhet të ketë aleanca me Gjermaninë. Nëse ekonomia gjermane ecën mirë, ashtu ecën edhe ekonomia jonë. Kjo nuk do të thotë të injorojmë vendet e tjera, por në politikën e jashtme nuk mund të kesh katër, apo dhjetë prioritete.

Imazhi i vendeve të Vishegradit duket i dëmtuar. Maros Sefcovic (kandidat sllovak si pasues i Federica Mogherinit) nuk mori mbështetjen, a ndikoi ky imazh në përjashtimin e tij nga kjo garë? Në çfarë mase e dëmtuan zgjedhjet presidenciale kandidaturën e tij?

Ato ditë shumë informacione kundërshtuese na vinin. Jam mik me Maros Sefcovic dhe e mbështeta në garën për President. Me aq sa jam në dijeni unë, ai nuk ishte i interesuar për postin si kryediplomat i BE-së, por si zv.President i Komisionit Europian për Ekonominë dhe Zhvillimin, ashtu siç ishte premtuar nga Partitë Socialiste Europiane. Fakti që asnjë vend i grupit të Vishegradit nuk mori një pozicion drejtues në institucionet e reja të BE-së nuk është hata. As skandinavët nuk morën, as të tjerët. Këtu në Sllovaki u tha gjithashtu se Kryeministri Peter Pellegrini mund të bëhej Presidenti i Këshillit, gjë që s’e kam dëgjuar asnjëherë në Bruksel. Më duhet ta them, por Sllovakia nuk ka treguar asgjë të jashtëzakonshme në politikën europian për të merituar një vend të tillë.

Cilin pozicion mund të marrë Maros Sefcoviç?

Mendoj se ai do të marrë një post në fushën ekonomike.

Brexit është shtyrë vazhdimisht dhe mbetet ende një kryetemë në Bruksel. Aktualisht jemi në një ngërç, BE nuk dëshiron ndryshimin e paktit të divorcit dhe Kryeministri i ri britanik kërkon ndryshimin e tij, në të kundërt kërcënon me një shkeputje pa marrëveshje. Kush mendoni se do të tërhiqet?

Bashkimi Europian nuk do të tërhiqet dhe për këtë mund të vendos edhe bast. Deri më tani, BE është treguar më shumë se bujare. Mbështetëm Kryeministren May, i dhamë gjithçka kërkoi, por ajo dështoi që të merrte miratimin në Parlament. Michel Barnier (kryenegociatori i BE-së për Brexit) është një strateg i shkëlqyer dhe mendoj se nuk do të tërhiqet. Të gjithë e dimë se Brexit është një proces që do t’i dëmtojë të gjithë, por sidomos Britaninë e Madhe dhe kam frikë se po shkojmë drejt një Brexiti pa marrëveshje.

Një anëtar i BE-së po largohet, a do të ketë anëtarë të rinj? Maqedonia e Veriut duke një kandidate potenciale. Megjithatë, Franca kushtëzon zgjerimin me reformimin e unionit. A do t’i hapen të paktën negociatat Shkupit?

Maqedonia e Veriut ka plotësuar kushtet prej vitesh, por BE ka shtyrë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, që është e sikletshme dhe shkurajuese. Shqiptarët po presin të njëjtën gje, por atje është një situatë krejtësisht tjetër dhe nëse ata (politikanët shqiptarë) nuk e kanë humbur gjykimin e drejtë, e kuptojnë se për momentin hapja e bisedimeve është joreale, a pamundur. Ata duhet të përfundojnë një reformë madhore në drejtësi, opozita bojkoton Parlamentin dhe mbi të gjithë asnjë kompromis nuk duket në sfond. Maqedonisë ssë Veriut mund t’i jepet një datë konkrete këtë vjeshtë. Macron është i qartë në deklaratat e bëra, por unë kam vënë re që është tërhequr disi. Tani ka mundësinë që të krijojë një reputacion të mirë në Ballkan dhe është e sigurtë që Parlamenti Europian do të mbështesë hapjen e negociatave me Shkupin.

Kosova iu përgjigj bllokimit që i bëri Serbia anëtarësimit të saj në Europol duke i vendosur tarifa mallrave serbe. Dialogu ka ngrirë dhe si Kryeministri, ashtu edhe Presidenti i Kosovës thonë se BE nuk mund ta zgjidhë këtë çështje dhe se në dialogu duhet të përfshihet edhe SHBA. A është e mundur që të ecet përpara në këtë dialog pa përfshirjen e Uashingtonit?

Zyrtarët e Kosovës e thonë prej kohësh që amerikanët duhet të ftohen në këtë dialog. Por, ata vetë e kanë pranuar se dialogu është i mundur edhe pa ta. Përndryshe, edhe serbët do të kërkonin përfshirjen e rusëve dhe i gjithë dialogu do të përfundonte në një spirale të lodhshme. Sa i takon Kosovës na zhgënjeu Federica Mogherini. Kur Kosova vendosi tarifa mbi Serbinë, ajo duhej të udhëtonte drejt Prishtinës dhe t’i binte tavolinës atje. Kjo nuk ndodhi dhe nuk tregoi lidership.

A do ta sjellë një ndryshim pozitiv pasaardhësi i saj, spanjolli Josep Borrell? A do të ndihmojë në dialogun Serbi-Kosovë, edhe me anë të një të dërguari special të BE-së për këtë dialog?

Nuk besoj se do të ketë një ndryshim thelbësor. E mbaj mend si President të Parlamentit Europian. Nominimi i tij si pasues të Federica Mogherinit më habiti, sepse spanjollët kanë politikanë të rinj dhe më energjikë. Caktimi i një të dërguari special mund të ndihmojë, por ai duhet të jetë një politikan i fortë dhe i respektueshëm ndërkombëtarisht. Unë do të propozoja Carl Bildt.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka imazhin e një politikani të pakompromistë dhe refuzon të heqë taksën mbi mallrat serbe. Ai është edhe kundërshtar i idesë së shkëmbimit të territoreve, që udhëheqësit e BE-së e konsiderojnë një ide të rrezikshme që mund të turbullojë të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mendoni se shkëmbimi i territorit është një ide reale, apo po përdoret për kapital politik?

Ramush Haradinaj është vërtet një politikan i pakompromistë. Të gjithë po i thonë të tërhiqet (nga taksa), edhe amerikanët, por ai e refuzon. Shkëmbimi i territoreve nuk është një ide e vdekur. Ka patur një moment kur Partitë Popullore Europiane e morën në konsideratë këtë si ide. Unë isha totalisht kundër. Pres që kjo temë të rikthehet sërish, megjithëse mund të shkaktojë trazira në Bosnje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë