Biznes

Kufizimet financiare i pengojnë bizneset shqiptare të zgjerohen globalisht

33% e bizneseve të vogla dhe të mesme, NVM, vlerësojnë se e kanë të vështirë zgjerimin në tregjet e huaja, eksportimin për shkak të kufizimeve financiare. 44% e tyre janë kompani në fushën e prodhimit dhe 35% në sektorin e turizmit.

20% e bizneseve të anketuara pengohen nga madhësia e kompanisë dhe produktiviteti.

“Niveli i ulët i përvojës në eksport përcakton aksesin e kufizuar të shumicës së NMVM-ve në tregjet globale dhe zinxhirët e vlerës. 13% e të anketuarve theksojnë se përvoja në eksport e kompanive është pengesa e tretë e rëndësishme për të hyrë në tregjet ndërkombëtare”,- thuhet në anketën e realizuar nga Këshilli i Investimeve.

Një tjetër pengesë sipas KI-së, është niveli i ulët i certifikimit dhe përputhshmëria me standardet ndërkombëtare që i bën NVM-të shqiptare më pak konkurruese në krahasim me kompanitë e huaja dhe i kufizohet mundësia për integrim, me zinxhirët globalë. Kjo pengesë është më mbizotëruese në industrinë përpunuese dhe bujqësi. Duke iu referuar konsultimeve me kompanitë e përpunimit të tekstilit, mungesa e mjeteve financiare kufizon aftësinë e tyre për të marrë certifikime dhe rrjedhimisht është e vështirë për ta që të marrin pjesë në panaire për të ekspozuar produktet e tyre dhe për të fituar klientë të mundshëm” nënvizon publikimi i Këshillit të Investimeve.

Pengesa të tjera për bizneset janë dhe informaliteti, logjistika, lehtësimi i tregtisë dhe aksesi në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

Bizneset turistike shohin si treg potencial më së shumti rajonin e Ballkanit perëndimor, 25%, vendet skandinave dhe të Bashkimit Europian me 22%. Ndërsa fasonët dhe bujqësia synojnë Bashkimin Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë