Ne rrjet

Kufiri me Shqipërinë – A u tremb Greqia për shkak të Turqisë?

Deklaratat për zgjerimin e sovranitetit detar të Greqisë në detin Jon dhe detin Egje duket se ka çuar në një përplasje të pashembullt mes Athinës dhe Ankarasë zyrtare, aq sa kjo e fundit paralajmëroi se një akt i tillë do të bëhej precedent për luftë. Në këto kushte vendimi i parë i kryeministrit Aleksis Tspiras si Ministër i Jashtëm i vendit fqinj ishte të hapte rrugë...

Por a rrezikon marrëveshjen me Shqipërinë kjo tërheqje e qeverisë greke? Sipas mediave turke, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Mevlut Çaushoglu, në Tiranë nuk u diskutua vetëm për shkollat por edhe për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Ankaraja zyrtare druhet se Athina zgjeron sovranitetin detar në detin Jon, mund ta përdorë marrëveshjen  me Shqipërinë për t’ju imponuar Turqisë në zgjidhjen e kufirit detar mes dy vendeve.

Pa kaluar ende një javë nga "bomba" e hedhur nga Nikos Kotzias, Greqia vendosi të pezullonte aksionin diplomatik për zgjerimin me 12 milje detare të kufirit detar me Shqipërinë dhe Turqinë. Mediat greke bëjnë të ditur se Athina zyrtare ka ndryshuar qëndrim lidhur me shpalljen e zgjerimit të vijës së saj bregdetare në Jon dhe Egje. Sipas gazetës greke “Kathimerini” vendimi i papritur u mor pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura mes Aleksis Tsipras, njëkohësisht Ministër i Jashtëm, dhe zyrtarëve më të lartë politik të Ministrisë së Jashtme greke.

Përveç politikave të OKB-së dhe të NATO-s, në takim u diskutua veçanërisht për zgjerimin e vijës bregdetare greke, ndërkohë që Tsipras mori nën përgjegjësi të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin, Turqinë dhe Qipron. Burimet thonë për mediat greke se Kryeministri Tsipras është informuar në detaje për rrjedhën e negociatave që po zhvillohen me Shqipërinë dhe ku kanë mbetur bisedimet. Sipas shtypit grek, Tsipras ka urdhëruar që sa i përket çështjes së zgjerimit territorial të detit, të mos vazhdohet me dekret presidencial, por të kalojë në Parlament. Kryeministri Tsipras kërkoi gjithashtu që të informohet për zhvillimet e fundit me Turqinë. Sipas “Kathimerimit”, Tsipras njoftoi se po përgatitej për një vizitë zyrtare në Turqi dhe premtoi të informojë liderët e partive parlamentare përpara se t’i kërkojë presidentit të firmosë dekretin për zgjerimin e sovranitetit në Jon edhe Egje.

Kryeministri Aleksis Tspiras 

Ky zhvillim ka ngjallur reagimeve të shumta në Ankara dhe vjen vetëm disa ditë pasi ish-ministri i jashtëm Nikos Kotzias e kishte bërë fakt të kryer zgjerimin e vijës bregdetare të Greqisë. Kotzias ishte forca udhëheqëse e negociatave për kufirin detar me Shqipërinë dhe Ankaranë dhe si i tillë ka dashur të mbetet deri minutat e fundit përpara se të largohej nga godina e Ministrisë së Jashtme greke.

Në ceremoninë ku i kaloi postin kryeministrit  Tsipras, Kotzias ka thënë se Greqia do të zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje detare, duke theksuar ndër të tjera se dekretet presidenciale që do të bënin të mundur zbatimin e një marrëveshjeje të tillë, ishin gati.

“Është e rëndësishme një politikë zgjerimi e sovranitetit të vendit, që prej kohës kur Greqia përfshiu ishujt Dodecanese. Dekretet presidenciale janë gati”, deklaroi  Kotzias, duke ofruar për herë të parë detaje të qarta mbi atë që po diskutohet mes Greqisë dhe Shqipërisë për arritjen e një marrëveshjeje mbi kufirin detar. “Urdhëresat e mia janë të gatshme për të zgjeruar ujërat tona kombëtare në 12 milje nga Othonus deri në Antikithira. Vendi ynë do të shtrihet në 12 milje, përveçse në ngushtica, ku do të shkojmë me parimin e vijës së mesme”, shtoi Kotzias, duke u përshëndetur i prekur me stafin e tij.

Kotzias tha se në fazën e parë do të përfshihet Otonoi dhe gjithë ishujt e vegjël rreth tij, deri në Antikythera, një ishull i vogël në veriperëndim të Kretës. Por sipas medieve greke, nisja që nga ishujt Othonoi mund të shkaktojë komplikime në negociatat me Shqipërinë. “Nuk është e qartë nëse shtrirja me 12 milje ndërlidhet në një farë mënyre edhe me negociatat që po zhvillohen ndërmjet Athinës e Tiranës për Zonën Ekskluzive Ekonomike”, vë në dukje gazeta “Kathimerini”. “Nëse po, kjo do të thotë se Greqia dhe Shqipëria kanë një perceptim të përbashkët për zonat që i përkasin secilës palë. Nëse jo, ka shumë gjasa që procesi të përballet me probleme serioze, pasi marrëveshja nuk është arritur ende”, nënvizon gazeta greke.

Nikos Kotzias  në ceremoninë e lamtumires

Deklarata e ish-ministrit të jashtëm grek për kufirin detar vjen pas një serie të gjatë negociatash me Shqipërinë, detajet e të cilave janë mbajtur të paqarta për publikun shqiptar. Bisedimet maratonë mes Athinës dhe Tiranës zyrtare për kufirin detar dhe çështjet e tjera të vjetra që shqetësojnë dy vendet, drejtoheshin nga dy ministrat e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, por tashmë frenat e bisedimeve i ka marrë në dorë vetë shefi i ekzekutivit grek.

Por përse u tërhoq Tspiras nga zgjerimi i vijës bregdetare?

Lamtumira e Nikos Kotzias duket se shkaktoi një dramë të vërtetë diplomatike në rajon. Ndërkohë që Tirana zyrtare nuk ka dalë ende me një qëndrim zyrtar, deklaratat e kryediplomatit grek u pritën me “zjarr dhe tërbim” në Ankara. Një ditë pas ceremonisë së lamtumirës, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çaushoglu, deklaroi se çdo veprim i Athinës për zgjerim të vijës së saj bregdetare, në Jon ose Egje, do të përbënte shkak për luftë (Casus Belli). Raportet e palës greke për zgjerimin me 12 milje, ka vënë në lëvizje Ankaranë, ndërkohë që mediat turke paralajmëruan ndër të tjera se Turqia po përgatiste forcat ushtarake.

“Ne këshillojmë Greqinë që të qëndrojë larg nga sjelljet që mund të shkaktojnë një përshkallëzim të situatës në Mesdhe. Pretendimet jorealiste të Greqisë do të dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe stabilitetin rajonal”, thuhej në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Jashtme turke. Ankaraja zyrtare paralajmëroi se nuk do të toleronte asnjë akt në detin Egje, për të cilin nuk ka marrëveshje dypalëshe. Çaushoglu iu referua një rezolute të vitit 1995, ku thuhej se çdo veprim i njëanshëm i Greqisë për të shtrirë nga 6 në 12 milje ujërat territoriale, do të shërbente si shkak për luftë.

Kryemninistri Aleksis Tspiras dhe Presidenti Erdogan

Por përgjigja nga Athina ishte e menjëhershme: “Shtrirja e ujërave territoriale përbën një të drejtë të parevokueshme, të ligjshme dhe sovrane të Greqisë, sipas të drejtës ndërkombëtare. Greqia ka të drejtë të zgjerojë ujërat e veta territoriale kur dhe si të gjykojë. Interpretime arbitrare të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënimet për dhunë nga ana e Turqisë, ashtu si dhe vënia në diskutim e të drejtave tona sovrane, as e ndryshojnë këtë fakt, por as ndihmojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke.

Ankara zyrtare vendosi të ndërmarrë edhe një hap tjetër, duke thirrur në takim ambasadorin grek ne Stamboll. “Më 23 tetor Petros Mavroidis zhvilloi një takim mjaft të tensionuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, lidhur me komentet e fundit të Nikos Kotzias”, shkruan “CCN Turk”, duke mos dhënë detaje të tjera.

Përplasjet e ashpra mes dy vendeve anëtare të NATO-s nuk janë të pazakonta, pasi si Ankaraja ashtu dhe Turqia i kanë treguar disa herë dhëmbët njëra-tjetrës. Por duket së kësaj radhe ka qenë kryeministri Tsipras ai që ka zgjedhur të dorëzohet para presionit të ushtruar nga Turqia, e cila ndaloi ndër të tjera edhe një anije greke në Mesdhe. Greqia dhe Turqia kanë pasur një histori të gjatë konfliktesh, në zemër të së cilave ndodhen në fakt pretendimet territoriale. Greqia dhe Turqia ndahen nga një kufi tokësor në veri, por konfliktet kufitare vijnë për shkak të qindra ishujve në Detin Egje. Të dyja vendet janë përfshirë prej kohësh në debate të egra për sa u përket hapësirave ajrore dhe ujërave territoriale të këtyre ishujve. Madje konfliktet janë bërë aq intensive, sa dy vendet kanë qenë duke shkuar drejt luftës në tri raste të veçanta: në vitin 1976, 1987 dhe 1996. Duke iu druajtur përsëritjes së një skenari të tillë, Tsipras vendosi me sa duket që të tërhiqet.


Matthew Palmer

SHBA kërkon marrëveshje

Përplasjet e fundit e mes Ankarasë dhe Athinës duket se kanë ngritur shqetësime edhe në mesin e zyrtarëve amerikanë. I pyetur për përgjigjen e Turqisë ndaj qëllimit të Greqisë për të zgjeruar ujërat territoriale, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit të tha se: "Politika e Uashingtonit nuk ka ndryshuar. Turqia dhe Greqia kanë kanale të gjata diplomatike për trajtimin e këtyre çështjeve. Si parim, SHBA mbështet sovranitetin e dy vendeve".

Ndërkohë, një tjetër zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i bëri thirrje Tiranës dhe Athinës zyrtare që të arrijnë sa më parë një marrëveshje për kufirin detar dhe çështje të tjera të mbetura hapur mes dy vendeve. I ftuar në një forum sigurie në Beograd, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan, Matthew Palmer deklaroi: "Dua të ritheksoj edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë prosperitet dhe integrimin e Ballkanit në Organizatat Perëndimore. Gjatë këtyre viteve ka pasur arritje të mëdha, si integrimi i Kroacisë në Organizatën e Kombeve të Bsshkuara dhe hapja e negociatave të anëtarësimit në BE për Serbinë dhe Malin e Zi si edhe anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe Malit të Zi". "Marrëveshja e Prespës ishte po ashtu një hap i madh, por vetëm nëse do të ratifikohet. Por ka pasur gjithashtu edhe hapa pas. Stabiliteti nuk është një e drejtë që të jepet që nga lindja, por duhet të fitohet në sajë të punës të vështirë dhe angazhimit për të ndryshuar. Ky proces nuk është as linear dhe as i lehtë. Kjo do të thotë se i gjithë Ballkani duhet të punojë së bashku për të ecur përpara. Kjo do të thotë se Serbia dhe Kroacia duhet ta lënë pas të shkuarën dhe se Shqipëria duhet të arrijë në marrëveshje me Greqinë për kufirin detar dhe çështjen e minoritetit”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë