Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndodhet në Shqipëri për vizitë zyrtare. Në këtë vizitë të pranishëm janë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ministri Dardan Gashi, shefi i kabinetit të tij, Blerand Stavileci, dhe i ngarkuari me punë në ambasadën e Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka folur nga Tirana për çështjen e kufijve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Gjatë një konference për shtyp me homologun e tij, Gramoz Ruçi, Veseli theksoi se mazhoranca dhe opozita në Kosovë duhet të jenë së bashku në këtë fazë të dialogut me Serbinë. Theksoi se shtetësia dhe territori i Kosovës janë të panegociueshme.
“Kosova është vend i pavarur dhe sovran që promovon në mënyrë të shkëlqyer të drejtat e minoritetit. Jemi duke shkuar me vendosmëri në procesin final të dialogut që Kosova të marrë vendin e vet në OKB. Jemi krenar që kemi partner si SHBA, partner i përjetshëm i shtetit, jemi krenar që jemi në anën e vendeve perëndimore. Nuk ka opsion tjetër, ajo që dëmton më së shumti Kosovën është mungesa e unitetit. Është momenti të mendojmë për këtë gjeneratë dhe të ardhshme.
Ndërsa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi se Shqipëria po ndjek me vëmendje zhvillimet nga dialogu Kosovë-Serbi dhe u bën apel për unitet forcave politike në Prishtinë.
“Ne po ndjekim me vëmendje maksimale zhvillimet e fundit dhe përfshirjen e të gjithë palëve në procesin e dialogut. Edhe diskutimet në këtë fazë dialogu duhet të konfirmojnë arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Apeli dhe mesazhi im është që aktorët politikë në Kosovë duhet të jenë unike, në unitet qëndrimi dhe veprimi, pasi ka shumë çështje që i ndajmë për luftën për pushtet, por këtu bëhet fjala për shtetin dhe stabilitetin e rajonit”, theksoi Ruçi.
Delegacioni nga Kosova është pritur edhe nga presidenti i Republikës, Ilir Meta. Natyrisht nuk ka munguar edhe mesazhi i Metës për politikën kosovare.
“Kosova ka nevojë imediate për konsensus politik të brendshëm dhe gjithëpërfshirje në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.
Situata kërkon që shumica qeverisëse të krijoj një klimë më gjithëpërfshirëse në raport me opozitën. Edhe opozita në Kosovë duhet të marrë përgjegjësitë e veta ne këtë moment historik”, tha ndër të tjera Meta.
Kryedemokrati Lulzim Basha pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dhënë një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Ai theksoi se fokusi i bisedimit mes zyrtarëve ishte te forcimi i unitetit të faktorit në Kosovë, rajon, por edhe në Tiranë. Po ashtu lideri i demokratëve nga selia e PD-së tha se duhet të respektohet parimi i moscenimit të kufijve.
“Kam kënaqësinë që të mirëpres sot kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kemi pasur një bisedë të frytshme të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Theksi në këtë kohë sfidash për Kosovën dhe rajonin është uniteti. Por edhe bashkimi i faktorit të Kosovës por dhe të Tiranës, për t’i shërbyer interesit kombëtar, interesit të popullit të Kosovës që është sovrani. Duhet parimi i pacenueshmërisë se kufijve, dhe përcaktimi i qartë i Kosovës si anëtare në NATO dhe në BE, rruga e të cilës kalon përmes reformave. PD ka mbështetur dhe mbështet dialogun midis Kosovës dhe Shqipërisë në funksion të normalizimit të dy vendeve”, tha Basha.
Ndërkohë, Veseli pohoi në fjalën e tij se Kosova nuk ka si qëllim që të marrë kufijtë nga të tjerët, ndërsa shtoi se shumë prej qytetarëve të saj do të kenë brenga.
“Sot patëm takime me përfaqësues të lartë të shtetit. Duhet sa më shpejt platforma kombëtare për dialogun me Serbinë. Vullneti i qytetarëve është Kosova të pranohet në OKB, e të ecë në rrugëtimin drejt BE e NATO, të ketë raporte të mira me fqinjët. Qëndrimet janë të qarta dhe ne duhet të punojmë bashkërisht. Partitë në Shqipëri janë përkrahësit më të mëdha të shtetit tonë, Kjo është e ardhmja jonë, një Ballkan stabili, i integruar ku jetohet në fqinjësi të mirë, pa hyrë në punët e njëra tjetrës. Kosova nuk do të marrë nga të tjerët, është shtet sovran dhe do të angazhohet për të drejtat e shqiptarëve kudo që janë. Punojmë për stabilitetin rajonal, nuk kemi pretendime ndaj asnjë shteti, por kemi brenga për qytetarët tanë. As abetaret nuk lejohet të futen në shtetin serb”, tha Veseli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.