Lajme

Kuçova si bazë mbështetëse e manovrave të NATO-s në rajon

51 milionë eurot që do të investohen nga NATO në bazën ajrore të Kuçovës janë pjesë e programit të investimit të sigurisë të Aleancës ushtarake për rritjen dhe përmirësimin e infrastrukturës e logjistikës ushtarake të vendeve anëtare.

Zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare thotë se pjesë e ndërhyrjes përmes shumës në fjalë është edhe ajo për përmirësimin e depove të furnizmit me karburant.

A do të thotë kjo që baza e Kuçovës do të shërbejë si një bazë tranzit për operacione të mundshme trajnuese, apo luftarake të trupave të NATO-s në rajon? Cazalet la të kuptohej që po, duke konfirmuar se Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.

Cazalet thotë se NATO i është mirënjohës Shqipërisë për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit dhe avokatisë për zgjerimin e aleancës me vende e Ballkanit.

“Vendi juaj është një avokat i fortë I politikës së dyerve te hapura të NATO-s dhe i integrimit të fqinjëve tuaj në familjen Euro-Atlantike”, thotë zëdhënësi i NATO-s Piers Cazalet për ATSH.

Baza ajrore e Kuçovës, ku pritet që puna për përmirësimin dhe rikonstruksionin e saj të nisë brenda këtij viti, do të shërbeje gjithashtu edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë