Rend dhe Ligj

Ku shkojnë kaq shumë biçikleta të vjedhura?

Trafiku i Tiranës është kthyer në burimin e streseve dhe sherreve të përditshme. Rrugët e bllokuara në çdo orë të ditës, jo vetëm bëhen shkak për të mbërritur vonë në destinacion, por policia raporton se ka raste kur “të paduruarit” që parakalojnë radhët grinden me ata që presin pambarimisht në makinë dhe sakaq zbatojnë mjetet para tyre. Të tjerë janë dorëzuar dhe ecin në këmbë. Të tjerët e kanë kyçur përfundimisht automjetin dhe kanë blerë biçikletë. Por së bashku me këtë fenomen ka shpërthyer edhe fenomeni i vjedhjes së biçikletave, që pavarësisht ndërhyrjeve të ndryshme policore nuk ka ndikuar aspak në minimizimin e ngjarjeve të tilla rrugëve të Tiranës. Madje në Facebook është hapur një llogari “portal i biçikletave të vjedhura Shqipëri”, ku qytetarët raportojnë vjedhjen e biçikletës. “Bëni kujdes thuhet në një nga statuset se është vënë re një trend nga persona 13 deri në 14 me mjete prerëse. Si gjithmonë denonconi në polici”.

Por tregu i shitjeve të biçikletave është kthyer në një nga më fitimprurësit, mbasi çmimet e tyre variojnë nga më të lirat 100 euro deri tek 600 euro, 700 euro dhe më tepër.

Albi G. ju drejtua komisariatit numër 1, mbasi kur u kthye nuk e gjeti biçikletën aty. Duke i treguar komisariatit numër një se e kishte lidhur në rrugën Papa Gjon Pali 2, ai përshkroi po ashtu sipas burimeve policore të gazetës Si edhe të dhënat e mjetit. Një biçikletë model 26, ngjyrë jeshile me të zezë dhe me mbishkrimin lagici. Duke bërë madje hetuesin i riu administroi vetë kamerën e sigurisë të vjedhjes së biçikletës ku shfaqet një person me bluzë t-shirt.

Duke mos u mjaftuar me kaq, i riu u vu në kërkim të biçikletës duke gjurmuar të gjitha tregjet e biçikletave në kryeqytet. Ai e gjeti biçikletën pranë një tregu të vënë në shitje dhe aty u rikthye sërish pranë policisë.

“E gjeta të lidhur në një shtyllë pranë lokal D.., një ditë më parë e pashë të lidhur tek rrugica pranë tregut, - tha I riu në polici që më pas shkoi i shoqëruar në vendin ku pa pronën e tij ku mbasi hetoi zbuloi se ajo përdorej nga një i ri.

Shumica përdorin biçikleta të vjedhura

“Në forma të ndryshme, të interesuarit kërkojnë në faqe interaktive që shesin sende, me ndërgjegje të plotë blejnë biçikletën ndonëse në nënvetëdije janë të sigurt që ajo i është vjedhur dikujt tjetër. Dhe mandej, me bindjen se është bërë pazar i mirë, blen lirë biçikletën e dikujt tjetër, ashtu si biçikleta e tij është shitur gjetkë”, komenton një oficer policie që kujton se një nga goditjet më të mëdha të rrjetit të vjedhjeve të biçikletave është kryer gati një vit më parë.

“Shtetasi i arrestuar me inicialet A. F u arrestua mbasi në banesë ju gjetën gati 100 biçikleta që ai i blinte nga të mitur, fëmijë që u dyshua se i shfrytëzonte për të vjedhur biçikleta. Por kjo gjë më pas nuk u vërtetua në gjykatë, mbasi ky qytetar pretendoi që nuk kishte dijeni se çfarë statusi kishte biçikleta”, mbyll oficeri i policisë për gazetën Si.

Çmimet e biçikletave që përdoren dhe përdorimi i tyre i shpeshtë ka ndikuar në rritjen e çmimeve, por edhe të masave që marrin vetë qytetarët. Madje ndonëse raportohet sipas policisë për gazetën Si se mesatarisht çdo ditë vidhen 3 deri në pesë biçikleta në ditën më të mirë, është e vështirë që hajdutët të gjenden.

“Ka ndikuar pandemia, ata duken nga kamerat e sigurisë që janë të rinj të moshave deri në 20 vjeç, por që t’i gjesh ata është e pamundur. Mbajnë kapuç në kokë dhe afrohen te biçikletat me kokën e ulur”, argumenton një nga agjentët e komisariatit numër 3, është zona me vjedhje më të shumta biçikletash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë