Drejtësia

Kryetari i Bashkisë së Ersekës, Erion Isai paraqitet në SPAK: U thirra si person në dijeni të çështjes

Gazeta Si - Kryetari i Bashkisë së Ersekës, Erion Isai u paraqit këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

I pashoqëruar nga avokati, për tre orë i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve.

Mësohet se dëshmia i është kërkuar për një tender rruge në zonën që administron, por që është denoncuar pranë akuzës.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme Isai shprehet se nuk është ai nën hetim, por ka paraqitur të dhënat si person në dijeni të çështjes.

"Unë jam thirrur si person që kam dijeni dhe kam dhënë sqarimet e mija. Do jem gjithmonë në dispozicion për të dhënë sqarimet që duhen. Është ngjarje konkrete, nuk ka lidhje me tenderat e bashkisë po padyshim nuk e di se mund të bëj ndonjë gabim në të shprehur. Ka lidhje me një ngjarje konkrete të para shumë kohësh, ku bashkia nuk është e përzier në tender publik të drejtpërdrejtë, por si institucion që bashkëpunon dhe ka dijeni", tha ai.

Sipas burimeve paraprake, ai ka mbërritur në SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me tenderin e një rruge në zonën që ai administron.

Isai fitoi mandatin e dytë në krye të Bashkisë Kolonjë më 14 maj, duke marrë 64,27% të votave, gati dyfishin e kundërshtarit nga koalicioni "Bashkë Fitojmë", Et’hem Lumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë