Politike

Kryeprokurori i ri? Çela i pari, Ibrahimi “rrëzon” Arta Markun: Kuvendi të ndjekë logjikën tonë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpall pikëzimin e tri kandidatëve për prokuror të Përgjithshëm.  Këshilli do të rendisë të parin në listë  Olsjan Çela, prokuror i krimeve të rënda. Kryeprokurorja Arta Marku renditet e dyta në këtë listë, ndërsa Fatjona Memçaj e treta.  Çela ka marrë 459 pikë, Marku 406 pikë dhe Fatjona Memçaj 362 pikë. Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi pas mbledhjes u shpreh “Po përfundojmë një proces të rëndësishëm e kemi ndjenjën e lehtësimit, le ta gëzojnë të gjithë kandidatët”.  Ai u shpreh se kandidatët kanë tre ditë afat për të ankimuar, por shtoi se shpresonte se të mos kishte asnjë ankim.  Tashmë lista nëse nuk ka asnjë ankimim do të shkojë për miratim në Parlament, që ka detyrimin që brenda 30 ditëve të zgjedhë prokurorin e ri, me mandat 7-vjeçar.

Renditja i pari të Çelës, i rrit shpresat prokurorit të krimeve të rënda, pasi në rast se Parlamenti nuk e zgjedh me 84 vota, atëherë ai është automatikisht i shpallur si prokuror i Përgjithshëm. Por mazhoranca tashmë gjendet përpara sprovës nëse do të të votoj kryeprokuroren Arta Marku, të cilën e zgjodhi dy vite më parë përkohësisht, pa votat e opozitës,  me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim.

Kreu i KLP-së, duke folur për mediat. Gazeta Si, 14 nëntor 2019

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi në një reagim për mediat i ka bërë një thirrje Parlamentit që në këtë votim të ndjekë renditjen e pikëzimit, por në të njëjtën kohë theksoi se votimi është politik. “Ligji parashikon që Prokurorin e Përgjithshëm e zgjedh Parlamenti jo KLP në këto kushte ligji është ai që duhet mbajtur parasysh. Ne pa dyshim që do të bashkëpunojmë po aq mirë me secilin prej tyre. Ata janë të vlefshëm. Shpresojmë që kuvendi do ndjekë logjikën tonë sepse ne ata që i vlerësojmë nga ana profesionale. Kuvendi ka marzhin politik”, deklaroi Ibrahimi.

Edhe pse mund të kishte shpresuar që të renditet e para, Marku tashmë duhet të shpresojë që mazhoranca aktuale ta rivotojë sërish, duke i dhënë mundësi e ushtrimit të mandatit të plotë dhe jo si kryeprokurore e përkohshme.

Arta Marku gjatë seancës dëgjimore në KLP, Gazeta Si, 14 nëntor 2019

Një ditë më parë tre kandidatët paraqiten platformat e tyre dhe më pas iu përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të KLP për çështje të ndryshme për menaxhimin e punës në Prokurorinë e Përgjithshme. Ata u pyetën edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. Mesi i muajit dhjetor është afati i fundit i zgjedhjes së kryeprokurorit të ri. Sipas procedurës nëse asnjë kandidat nuk merr 84 vota, atëherë automatikisht Prokuror i Përgjithshëm do të zgjidhet ai që është renditur i pari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë