Kosova

Kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviç takohen nesër në Bruksel. Fokusi, marrëveshja për zgjidhjen e krizës në veri

Nga Gazeta 'Si'-Nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ditën e nesërme (19 korrik) do të zhvillohet takimi mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, në nivel kryenegociatorësh.

Takimi mes zv.kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe kryenegociatorit të Serbisë Petar Petkoviç ishte paralajmëruar që përpara një jave.

Në një takim informal që mbajtën në Bratislavë më 10 korrik, Bislimi dhe Lajçak ranë dakord për hapat e parë prioritarë për zgjidhjen e krizës në veri.

Kjo u konfirmua edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në një mbledhje qeverie ndau detajet nga marrëveshja.

Ai deklaroi se ishte rënë dakord për katër pika: zvogëlimi nё masën e 25% tё prezencës policore nё dhe rreth ndërtesave komunale; policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë; qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore pas stinës së verës.

Pika e fundit kishte të bënte me ftesën nga Bashkimi Europian për kryenegociatorët për finalizimin e planit tё sekuencimit pёr "Marrëveshjen drejt Normalizimit”.

Në takimin e nesërm pritet që të vazhdojnë diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit për zbatimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë